Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, njoftoi sot për nisjen e projektit-pilot për pagesat e shpejta elektronike, në tre qytete të vendit: Tiranë, Përmet dhe Dibër.
Ibrahimaj tha se, projektit-pilot për pagesat e shpejta është një hap transformuese për shërbime financiare në ekonominë shqiptare.
Përmes një video mesazhi, ministrja informoi se, “në 3 qytetet e zgjedhura, 300 individë do të jenë pjesë e skemës pilot, të cilët do të kryejnë pagesa përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe parasë elektronike, në bizneset e vogla dhe të mesme, pranë zonave ku banojnë”.
“Të financuar nga qeveria shqiptare, për një periudhë 4-mujore, qytetarët e përzgjedhur do të kryejnë pagesa të shpejta elektronike nëpërmjet telefonit të tyre, duke skanuar kodin e tyre QR të gjeneruar nga sistemi fiskalizimit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur se, individët e përfshirë në këtë projekt pilot mund të jenë moshave dhe me angazhime të ndryshme, të cilët do të provojnë dhe përfitojnë lehtësi nga ky proces i pagesave të shpejta.
“Nëse ti je një pronar biznesi që paguan për furnizime, qytetar që merr pensionin, një anëtar familje që mbështetet nga të dashurit që jetojnë jashtë, apo një student që menaxhon buxhetet, pagesat e shpejta do të mundësojnë që transaksionet tuaja të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më pak të kushtueshme”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se, në muajt në vijim do të publikohen detaje nga procesi dhe ngjarje të ndryshme nga implementimi i projektit pilot i pagesave të shpejta./ata