Krimi ka pësuar ulje për vitin 2023. Ky është rezultati që përftohet nga të dhënat statistikore të përpiluara nga Prokuroria e përgjithshme të cilat i janë dorëzuar Kuvendit. 

Nëse raporti vjetor i SPAK fliste për grupe kriminale agresive që kishin kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe të Europës, që rekrutonin femra dhe ishin të dhunshëm, panorama e prezantuar nga Prokuroria është krejt tjetër, ku referuar shifrave flitet për tendenca në ulje për krimet ndaj jetës, pronës, krimeve seksuale etj.

Në raportin e SPAK, por edhe të Europol një zë të veçantë kishin mashtrimet sidomos ato online. Rezulton se shqiptarët janë bërë faktor në zhvatjen e miliona eurove të qytetarëve në mbarë botën duke përdorur skema të call centereve, por në raportin e prokurorisë kjo vepër penale rezulton se ka tendenca ulje me 5.10 %.

Gjatë raportimit para KLP Altin Dumani shprehu shqetësimin se korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm dhe kërkoi bashkëpunimin edhe të institucioneve të tjera të cilat nuk e denoncojnë. Duket se mungesë hetimesh dhe denoncimesh në këtë drejtim ka pasur edhe në prokuroritë e zakonshme ku për korrupsion ka pasur më pak çështje se në vitin 2022.

Të vetmet rritje ishin veprat penale kundër krimit kompiuterik dhe trafiqeve të paligjshme përfshi edhe atë të armëve dhe municionit dhe  “Veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”.

Referuar këtyre të dhënave statistikore qarku me më pak ngjarje kriminale ka qenë Dibra ku koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 523 dhe me më shumë ngjarje Vlora, ku koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 1301. Ndërsa në rang vendi koeficienti është 872.