Industria bankare është në një moment shumë të mirë të zhvillimit të saj. Vetëm për 9 mujorin e këtij viti, sektori bankar ka dhënë rreth 281 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kështu deklaroi Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, në konferencën “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, ku e cilësoi industrinë  bankare, pjesë të rëndësishme të ekonomisë dhe integrimit në BE.

Shella tha se, raporti i kredive me probleme ka rënë në 4.58%, niveli më minimal në 16 vitet e fundit. Rritja vjetore e depozitave shënoi 4.1% dhe 63% e numrit të pagesave kryhet përmes kanaleve elektronike. Ndërsa vlera e përgjithshme e pagesave në këto kanale është rritur në 41% dhe 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti.

Ai theksoi se, veprimtaria bankare, prej disa vitesh, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, teksa puna po vijon me përparësi në avancimin e risive dhe praktikave më të mira europiane në fushën e bankingut.

“Ne sapo mbyllëm me sukses Open Banking. Tani presim vendimin për të qenë pjesë e SEPA-s. Digjitalizimi, duke zbatuar kërkesat e rrepta për sigurinë kibernetike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, ka përfshirë çdo aspekt të veprimtarisë bankare që nga on-boarding, nënshkrimi elektronik, shërbimet, pagesat utilitare, pagesat për shërbimet publike, kontrolli i llogarisë, këmbimet, etj., të gjitha në një telefon smart. Ndërsa me ligjin për llogarinë bazike, tashmë ekziston produkti për të tërhequr më shumë qytetarë në bankë”, u shpreh Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Shella informoi se, interesi i industrisë bankare është se si do të veprohet me afatet për plotësimin e MREL për bankat sistemike, kur do të kemi ligj të ri për bankën qendrore dhe bankat e  nivelit të dytë, dhe si mund të ndryshohet skema e sigurimit të depozitave, dhe kur do të jemi gati për instant payments.

Ai veçoi rolin e industrisë bankare dhe kontributin e saj në zhvillimin e ekonomisë.

“Shoqata Shqiptare e Bankave është krenare që, pasi kaluam pasojat e krizës së 2008 – 2010 dhe ato të viteve 2019 e mbrapa (tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë, inflacioni), industria bankare rezultoi e fuqizuar, e mirëkapitalizuar sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë, me rritje të veprimtarisë kredituese, më shumë besim të publikut te bankat, më shumë digjitalizim dhe më shumë hapje ndaj publikut. Këtë trend pozitiv duhet ta forcojmë dhe përmirësojmë gjatë procesit të reformave që na bashkojnë me BE-në”, deklaroi Shella./ata