Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët myslimanë, në përfundim të Muajit të Shenjtë Ramazanit, për festën e Fitër Bajramit.
Në një mesazh që shpërndau në rrjetet sociale Presidenti Begaj, shpreh urimet që kjo festë t’i gjejë besimtarët myslimanë më afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.
“Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!”.
Besimtarët myslimanë do të festojnë nesër Fitër Bajramin pas 30 ditëve agjërim dhe falje./ata