Muzeu Marubi dhe Instituti i Antropologjisë njoftuan se do të çelin ekspozitë “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”. Ekspozita e kuruar nga Luçjan Bedeni, do të hapet për publikun më 19 gusht.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, e njëkohësisht kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, bëri me dije se prej disa vitesh ka bërë kërkime për Marubët dhe Idromenon.
“Gjatë hulumtimit të fundit në fototekën e Institutit të Antoropogjisë ku ruhen disa negativë me vlerë të Idromenos, kam arritur në konkluzionin se shkrepjet e tij mund të plotësohen me më shumë të dhëna. Kjo për fatin e mirë të ekzistencës të koleksionit të Marubëve, i cili i vjen shumë në ndihmë”, shkroi Bedeni në profilin e tij, në rrjetet sociale.
Imazhet e burrit të përzgjedhur për posterin e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” janë një dëshmi konkrete se si arkivët fotografik komunikojnë mes tyre. Fotografia e burrit me brirë e cila ruhet në fototekën e Muzeut Marubi rezulton të jetë shkrepje e Kel Kodhelit (Marubi).
Ndërsa imazhi i ngjashëm me të, fotografia e burrit me fes, që ruhet në Institutin e Antropologjisë rezulton të jetë shkrepje e Idromenos. Në këtë rast lind pyetja, cila është autorësia e saktë? Bedeni mendon se është Kolë Idromeno, kjo pasi fotografia e shkrepur nga Kel Kodheli (Marubi) është një foto e retushuar por edhe e riprodhuar. Duke ditur që Idromeno ishte edhe një piktor i zoti, mendohet se e ka bërë ai retushimin e brirëve të personit dhe Keli riprodhimin e fotos së retushuar./ata