Deputeti i opozitës, Dashnor Sula në mënyrë simbolike i është bashkuar nga Kuvendi protestës së fermerëve bë Lushnjë lidhur me çmimin e qumështit.

Para nisjes së punimeve të seancës plenare, Sula ka derdhur qumësht në shkallët e Kuvendit në mbështetje të blegtorëve.

Ai tha se “milionat e eurove nuk janë marrë nga blegtorët e fermerët, por nga persona të caktuar që i kanë devijuar fondet në sektorin e ndërtimit. Është situatë e rëndë, në mënyrë simbolike këtë qumështin që është i blegtorëve do ta derdh tek dera e parlamentit për t’i tërhequr vëmendjen kësaj qeverie, Ministrisë së Bujqësisë që të kthejnë sytë nga fshati sepse janë në pikën e hallit”.

Blegtorët dhe prodhuesit e qumështit në Lushnjë zhvilluan të hënën një protestë në rrethrrotullimin e Savrës, ku kërkuan mbështetje për prodhimin shqiptar.

Ata kundërshtojnë uljen me 30 lekë të çmimit të blerjes së qumështit nga kompanitë përpunuese në zonë dhe kërkuan ndërhyrjen e shtetit për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.

Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit bëri të ditur të martën se kishte arritur një dakordësi me përpunuesit për çmimin e qumështit dhe vendosjen e një komunikimi mes tyre.

Në një deklaratë për mediet, Shoqata bën të ditur se dakordësia u arrit gjatë takimit të zhvilluar mes palëve, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku e pranishme ishte edhe ministrja Anila Denaj.

Ndërsa ministrja Denaj informoi pas këtij takimi se rëndësia e bashkëpunimit bazuar në marrëdhënie kontraktuale afatgjatë për të siguruar një produkt shqiptar cilësor, ndihmon edhe në sigurimin e një pakete mbështetëse si financiare ashtu edhe fiskale.

Ajo ka nënvizuar se për këtë paketë do të bashkëpunohet me blegtorët dhe grupet e interesit gjatë dy muajve në vijim./ata