Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka, nga foltorja e Kuvendit, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës tha se nuk ka patur asnjë ndikim për ato që, sipas saj, janë bërë fakte si të kryera për përfitime.

Xhaçka tha se Gjykata Kushtetuese ka folur për çështjen e mandatit të saj.

Ajo akuzoi Bardhin për shpifje, ndërkohë duke iu përgjigjur deputetes Eralda Tase tha se nuk mund të flitet me gjuhën e prokurorit në sallën e Kuvendit.

“U bë një kohë e gjatë, që emri im lidhet me paligjshmeri e abuzim me mandatin e deputetes. Prej kohësh tanimë zhvillohen ndaj meje gjyqe prokurorësh dhe gjykatësish pa liçencë drejtësie këtu, në ekrane a në portale, po me liçencë lirie për t’u shfrenuar, akuzuar, dënuar dhe qëlluar me të gjithë fuqinë e urrejtjes, mllefit apo thjesht, bindjes së verbër se ku ka një zë ka edhe një gjë, ku ka një ministër ka edhe një aferë, për t’ia marrë tjetrit fytyrën, nëpërkëmbur dinjitetin, shkatërruar reputacionin publik”, u shpreh Xhaçka.

“Nuk jam përgjigjur, jam menduar. Të rri në këtë detyrë apo të iki. Të vazhdoj të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linçim, ku faktet janë orekse politike, provat janë interesa mediatike, gjykimet mbi të vërtetën e një individi me përgjegjësi, janë paragjykime mbi ngjyrën politike të një personi publik”, u shpreh Xhaçka.

“Jam menduar ku kam gabuar, për të mbajtur mbi kurriz gjithë këtë furi balte. Një gjë di ta them me siguri, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera si përfitime, as në fakt nuk kam përfituar asgjë prej tyre, sepse janë thjesht të pavërteta. Dhe sot, si për t’i vënë kapakun një talljeje të madhe me opinionin publik, ku emri im është gjuajtur, pasuar, dribluar si top lecke, diskutohen këtu nga leckat e topit të opozitës, sikur po votohet për të më mbajtur nëpër këmbë apo lëshuar nga këmba, ndërkohe që në fakt sot Kuvendi s’ka se çfarë voton fare për mua personalisht. Sepse çështjen time Gjykata Kushtetuese e ka pasur, i ka vajtur nga 1/5 e deputetëve këtu siç parashikon kushtetuta, e ka shqyrtuar dhe me vendim e ka pushuar”, tha ajo.

“Jo, sot ketu duhet të votohet për diçka krejt tjetër, që në fakt është shkalla e sovranitetit të parlamentit dhe liria e votës së çdo deputeti. Por gjithsesi, meqë tek ky absurditet i kthyer në një debat dhe tek ky debat i kthyer në një pikë të rendit të ditës së Kuvendit, u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje, e meqë vendimi i sotëm lidhet prapeseprape me mandatin tim, megjithëse për mandatin tim Gjykata Kushtetuese është shprehur njëherë, unë nuk do të komentoj më tej për këtë, kolegët le të diskutojnë e të vendosin më votën e tyre”, tha Xhaçka.

“Po ama une nuk mund të hesht sot për fajësinë që më është dhënë nga gjykatat e shkallës zero në këtë parlament, në tribunat e opozitave të shqepura me qysqi, në ekranet e akuzave të qepura me porosi dhe në portalet e gjobave të vëna me babëzi. Sigurisht, s’më bën të flas sot ndonjë shpresë që të lartpërmendurit do ndryshojnë mendim, se sjellje jo e jo, po më detyron të mos hesht nevoja që të dëgjohet edhe zëri im, në radhë të parë nga ata që më kanë votuar për të pasur privilegjin e kësaj foltoreje dhe sigurisht edhe kushdo tjetër që ka interes të dëgjojë se si është tallur deri tani nga akuzuesit e përbaltësit e mi”, tha Xhaçka.

“Së pari, askush s’do të gjejë qoftë edhe një rast të vetëm, një fjalim, intervistë, postim, fjali apo fjalë të dalë nga goja apo dora ime, jo kundër organeve të drejtësisë, po as me ndonjë pikëpyetje për misionin, detyrën, punën e tyre. Që në janar 2023, çështja ime u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese, në themel, për më shumë se 8 orë, duke administruar provat e faktet konkrete, ato realet, jo ato të gjyqeve në ekranet politike dhe mediatike, të atyre që si inkuizitorët e mesjetës, me gojët plot jargë nga preja e radhës, ndezin sharlatanët politikë e mediatikë”, tha Xhaçka.

“Pasi shqyrtoi më shumë se 500 faqe prova e materiale nga praktika gjyqësore e vetë Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, vendosi ta pushojë këtë çështje absurde. Së dyti, e gjithë kjo zallamahi ku jam bërë unë mishi për top dhe ku flitet sikur është bërë ndonjë krim i padëgjuar, në fakt ka shkak vetëm njërën ndër 1 500 lejet e dhëna për përdorimin e plazhit nga subjekte turistike që operojnë në bregdetin e Shqiperisë, nga Velipoja deri në Ksamil. Flitet për toka shtetërore të falura, flitet për investime të bëra falë favoreve qeveritare, flitet për statuse të veçanta personale, kur në fakt e gjitha, nga fillimi në fund dhe pa asnjë bisht apo zgjatim tjetër të fshehtë, është një leje për përdorim plazhi nga një sipërmarrje private, pjesë e të cilës është edhe bashkëshorti im. I cili ishte sipërmarrës përpara se sa të bëhej deputet dhe u rikthye në jetën dhe punën e tij private, pasi u largua nga detyra e deputetit, si rezultat i faktit të thjeshtë se u njohëm dhe u lidhëm familjarisht pikërisht në rrugën e përbashkët të angazhimit politik, e nuk mund ta vazhdonim që të dy këtë angazhim”, tha Xhaçka.

“Pra as nga unë, as nga bashkëshorti im, as nga shteti që i ka dhënë një status aspak ekskluziv, po tërësisht ligjor një si dhjetra e dhjetra sipërmarrjeve të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë, me një investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm pa asnjë vështirësi, nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë”, shtoi ajo.

“Unë nuk jam e s’kam qenë asnjëherë dhe në asnjë rast në konflikt interesi dhe këtë nuk e them vetëm unë, po e thotë logjika elementare e gjërave, e ka thënë Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, e ka thënë edhe ILDKPI. Ky nuk është i pari rast kur ngrihet një dallgë balte ndaj një deputeti për konfliktin e interesit dhe prandaj edhe nuk është e vështirë të gjenden, të hapen dhe lexohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë temë, ku nuk ka në asnjë rresht ndalesë për familjarët e deputetëve të merren me biznes, njësoj si çdokush tjetër dhe në çdo fushë të sipërmarrjes ku kushdo është i lirë të sprovohet” vijoi Xhaçka.

“Në këtë rast, bashkëshorti im që merret me biznes që prej vitit 1991, pas 33 vjetëve ka menduar të bëjë një investim privat në jug të vendit, të financuar nga investitorë privatë e kredi bankare. Jo në tokë të falur nga Kryeministri, sic bërtasin disa shpifës famëkeqinj këtu në këtë sallë apo në ekranet e televizoreve, por në truall privat, të blerë në mirëbesim nga ish-pronarë privatë, siç ndodh krejt rëndom në mijëra e mijëra shitblerje tokë në zonat ku regjistrimi i tokës është ende i papërfunduar për njëmijë arsyet që dihen”, nënvizoi ish Ministrja.

“Së fundi, si rrjedhoje e kësaj tollovie një proces hetimor i SPAK-ut ka shkuar në gjykatë lidhur me si eshtë dhënë ajo pronë 30 vjet më parë, e si është regjistruar X vjet më parë. Dhe edhe në këtë rast, emri im eshte futur derr në thes jo nga hetuesit e prokurorët, të cilët janë në lirinë, të drejtën e detyrën e tyre të bëjnë deri në fund punën që u takon, po nga lincuesit e inkuizitoret që lirinë e tyre për të folur e përdorin për të shkelur me këmbë e duar mbi të tjerët, duke gënjyer, fabrikuar, akuzuar e dënuar këdo që munden, kurdo që munden, kudo që munden”, tha Xhaçka.

“Une dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Zero! Asnjë centimetër katror truall shtetëror! Zero! Asnjë lehtësi proceduriale të ndryshme nga të tërë të tjerët. Zero! Dhe e dini çfarë eshte përfitimi nga statusi i investitorit strategjik të asistuar (i cili nuk është e njëjta gjë me statusin e shumëpërfolur të investitorit strategjik), pra përfitimi që sidoqoftë në çdo rast, ligjërisht, nuk i atribuohet fare drejtpërdrejtë bashkëshortit tim për një investim në hoteleri që kurrë mos u bëftë pas gjithë kësaj balte të pamerituar që solli në jetën tonë, por kompanisë, e cila në një të ardhme do të menaxhoje aktivitetin? Vetëm e drejta për t’u trajtuar me prioritet për lidhjen e njërës nga 1500 kontratat e përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit përpara hotelit! Pra të nxjerrë shezlonët në plazh. Dhe e theksoj: Për të drejtën e përdorimit të plazhit për klientët e hotelit, jo të përfitimit nga plazhi pa pasur hotel fare siç ndodh ligjërisht, në plot pjesë të segmentit bregdetar! Dhe jo tani, po kur të realizohet investimi që s’është realizuar, kur të lidhet kontrata me të njëjtat kushte e tarifa si gjithë të tjerët, që u takon me ligj turizmi jo me status, që nuk është lidhur… Pra gjithë kjo zallamahi nëse duhet apo s’duhet të vërë shezlonet në plazh kur investimi të ketë përfunduar, kushedi se kur…”, tha Xhaçka

“Deti dhe plazhet janë pasuri kombëtare e shtetërore të papërfitueshme nga askush dhe mundet vetëm të përdorem, ashtu siç përdorim çdo prone publike. T’u thuash njerëzve që Olta Xhacka ju mori plazhin do të thotë të tallesh me ta, do të thotë të tallesh me statusin e deputetit, të opinionistit, të kronistit apo edhe thjesht të homo sapiensit. E marr me mend që duhet të ketë plot nga ata që po më degjojnë, që pas gjithë hatave, gjëmave e bëmave që kanë dëgjuar, e kanë të vështirë në mos të pamundur ta besojnë se kaq është kjo histori. Një furtunë në gotën e rakisë politike të atyre që pasi u dehën nga pushteti, pasi vranë njerëz e shkatërruan prona shtetërore, zaptuan prona private e përfituan çfarë nuk përfituan, sot janë në fazën e tërbimit nga dalja e rakisë. Por fatmiresisht dhe fatkeqësisht, kaq është e gjitha!”, përfundoi Xhaçka./ata