Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dënoi luftën ruse në Ukrainë si një shkelje të kartës së OKB dhe fyerje ndaj ndërgjegjes kolektive të botës.

 

Komentet i bëri gjatë një takimi të Asamblesë së Përgjithshme, në prag të 1 vjetorit të luftës, ku u diskutua një mocion i mbështetur nga Ukraina dhe aleatët, i cili kërkon largimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të trupave ruse.

“1 vjetori i luftës ruse në Ukrainë është një gurthemel i zymtë për popullin e Ukrainës dhe komunitetin ndërkombëtar. Pushtimi është një fyerje ndaj ndërgjegjes tonë kolektive. Është një shkelje e kartës së OKB dhe ligjit ndërkombëtar”, tha Guterres.

 

 

Guterres dënoi ashpër edhe kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore dhe paralajmëroi se mundësia e përshkallëzimit të konfliktit është një rrezik real.

 

Ukraina shpreson që mbështetja e mocionit nga vendet anëtare do të jetë tregues i solidaritetit, megjithatë ajo nuk është detyruese.

 

Vasily Nebenzya, ambasador i Rusisë në OKB tha se SHBA dhe aleatët ishin të përgatitur për të zhytur të gjithë botën në luftë.

 

Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara mbi 7100 civilë kanë mbetur të vrarë e mijëra të tjerë të plagosur që prej nisjes së luftës, por shifrat reale besohet të jenë shumë më të larta.

 

Autoritetet në Mariupol, ku kanë ndodhur ekzekutime masive vlerësojnë se 21 mijë vetë kanë vdekur vetëm atje.  

 

Sipas ushtrisë amerikane, mbi 100 mijë ushtarë rusë dhe ukrainas janë vrarë ose plagosur.