Në një kohë që retorika e luftës është në rritje, vendi planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake deri në vitin 2033.

Ministria e Mbrojtjes ka hedhur në konsultim publik Strategjinë Ushtarake 2024-2033 në të cilën argumenton edhe arsyet që po shtyjnë drejt “ri-zgjimit të ushtrisë”.  Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta.

"Mjedisi i sigurisë ka pësuar ndryshime domethënëse, ku agresioni rus ndaj Ukrainës ka thyer normat dhe parimet e sovranitetit kombëtar të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka rikthyer luftën në Evropë. Nuk përjashtohet mundësia e një sulmi konvencional kundër vendeve aleate në NATO-s apo që kjo luftë të ketë efekt domino edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, edhe në vijimësi të rishikimit të dokumenteve të tjera strategjikë (SSK, SU) lind nevoja e rishikimit të kapaciteteve ushtarake të nevojshme për mbrojtjen e vendit, sigurimin e qëndrueshmërisë kombëtare, si dhe kapacitetet për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s" thuhet në relacionin shpjegues.

Ministria e Mbrojtjes madje ka përgatitur edhe planin e reagimit të Forcave të Armatosura në rast lufte. Procesi nis me përpjekjet për mbrojtjen e territorit dhe popullatës. Gjithashtu në rast sulmi ndaj Shqipërisë planifikohet të aktivizohet mbrojtja kolektive e NATO-s, ndërsa vendi do të shërbejë si pritës dhe transit gjatë luftimeve.

Pas Kuçovës, Shqipëria do të “ringjallë” edhe 4 baza të tjera ushtarake. 

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, strategjike për misionet, mund të ulen 6 avionë reaktivë

Gjithashtu deri në vitit 2033 do të bëhet kompletimi i ushtrisë me helikopterë “BlackHaëk” dhe dronë pa pilotë. Gjithashtu vendi planifikon të zhvillojë edhe sistemin anti-dron, i ngjashëm me sistemin “Iron Dome” të Izraelit.

“Strategjia Ushtarake synon zhvillimin e një force e cila të jetë e aftë për të përmbushur me cilësi misionin dhe detyrat, brenda dhe jashtë vendit, më vete apo me aleatët. Krahas forcës aktive do të zhvillohet komponenti rezervist/vullnetar, i integruar dhe në harmoni me strukturën, kapacitetet dhe nevojat e FARSH-it.”

Ministria e Mbrojtjes planifikon që deri në vitit 2033, në radhët e ushtrisë shqiptare të shërbejnë mbi 9 mijë e 500 vetë nga rreth 6 mijë e 500 aktualisht.

Për të arrirë të gjitha këto objektiva, në vitin 2033 buxheti në dispozicion për mbrojtjen do të rritet në gati 74 miliardë lekë nga më pak se 49 miliardë aktualisht.

Zhvillimi i kapaciteteve të FAj planifikohet të realizohet sipas fazave të mëposhtme:

Në periudhën afatshkurtër:

-          kompletimit me helikopterë “Blackhaëk” si nevojë për mbështetjen e aktiviteteve të përditshme të FA-së, në rast krize e lufte, por dhe si mjet transporti taktik për evakuim aeromjekësor, komandim dhe kontroll, dhe mbështetje të operacioneve speciale, operacioneve luftarake, EC dhe SAR;

-          realizimi i investimit të NATO-s në BA Kuçovë;

-          instalimi i sistemeve NAVAIDS/CIS në BA Kuçovë;

-          zhvillimi i GBAD (Ground Based Air Defence);

-          zhvillimi i kapaciteteve UAS;

-          integrimi i plotë në NATINAMDS, fillimisht duke prodhuar RAP (Recognized Air Picture), shkëmbyer atë, dhe me instalimin e radiorrjetit Tokë - Ajër - Tokë, duke ushtruar edhe kontrollin taktik ndaj avionëve të NATO-s që kryejnë “Policimin Ajror” në FARSH; transponderi ushtarak MOD 5-IFF;

-          rritja e kapaciteteve operacionale të helikopterëve, duke mundësuar mbajtjen në gatishmëri të tyre 365/7/24 në tri “role”, një për MEDEVAC/ambulancë ajrore, një për kërkim - shpëtim (SAR) dhe një në versionin “shumërolesh” (2024+).

Në periudhën afatmesme:

-          arritja e statusit të BA Kuçovë si Bazë “TACAIR” e NATO-s;

-          vazhdimi i kompletimit me helikopterë tip “Blackhaëk”;

-          rritja e operacionalitetit dhe rritja e kapaciteteve për përdorimin e helikopterëve në kushte të kufizuara të shikimit ditën, natën dhe kushte të vështira të motit (365/7/24);

-          rritjen e kapaciteteve të dedikuara për operacione kërkim-shpëtimi dhe MEDEVAC;

-          përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të Republikës së Shqipërisë (kompletimi me 2 radarë të lëvizshëm);

-          zhvillimi dhe konsolidimi më tej i sistemeve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë;

-          zhvillimi dhe konsolidimi i kapaciteteve UAS;

-          zhvillimi i kapaciteteve për ushtrimin e plotë të kontrollit taktit ndaj avionëve të Aleancës/partnerëve që kryejnë policimin ajror (air policing).

Në periudhën afatgjatë:

-   përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të Republikës së Shqipërisë (kompletimi me 2 radarët e lëvizshëm);

-    krijimi i të gjithë kushteve për kryerjen/ushtrimin e të gjitha përgjegjësive kombëtare në kuadër të NATINAMADS/NIAMDS;

-    zhvillimi i kapaciteteve “ekspedituese” dhe “modulare” të helikopterëve të Forcës Ajrore;

-   shndërrimi i infrastrukturës së FAj në një “hub” stërvitor ajror të Aleancës/Partnerëve.

 

Në fund të periudhës së këtij plani, FAj do të ketë plotësuar detyrimet për përfshirjen e Bazës Ajrore Kuçovë në inventarin e Bazave Ajrore Taktike të Aleancës, si dhe do të ketë kapacitetet e duhura për mbështetjen e operacioneve luftarake të FT-së dhe FD-së. Kryerja e operacioneve humanitare dhe atyre të kërkim-shpëtimit do të jetë me kapacitete më të plota.

Marrë nga relacioni i “  Plani afatgjatë i zhvillimit të forcave të armatosura të republikës së Shqipërisë 2024- 2033