Diskutimi mbi numrin e lojtarëve që do të shkojnë në Evropian mbetet ende i hapur, ndërsa opinionet e trajnerëve do të përcillen në mbledhjen e radhës së UEFA-s, më 22 maj në Dublin. Në media qarkulloi një lajm se Sylvinho, trajneri i Kombëtares, ishte pro skemës me 23 lojtarë, pra nuk kërkonte një ndryshim, fakt që e pranoi edhe Armand Duka, kreu i FSHF-s në një prononcim për emocionin Sport Elite në RTK:
“Është e vërtetë që është bërë një mbledhje mes trajnerëve që do të jenë pjesë e Europianit dhe ka pasur propozime për ta rritur numrin e lojtarëve të thirrur në 26 lojtarë. Është diskutuar teknikisht, Silvinjo nuk ka qenë në këtë takim, por ai dëshiron që të mbetet me 23 lojtarë kjo skemë. Nuk është i vetmi që e mendon këtë, janë të ndarë mes atyre që duan skemën me 23 dhe atyre që e duan me 26. Janë të ndarë dhe kanë argumentet e tyre pro dhe kundër. Të gjitha këto mendime do të vijnë për diskutim në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në 22 maj në Dublin.
Nëse do të më lejohet të jap mendimin tim, unë sigurisht që në atë mbledhje do të mbështes mendimin e trajnerit të Shqipërisë. Argumentet e Sylvinho-s janë që grupi mund të menaxhohet më mirë, të ketë më shumë rezultat me 23 lojtarë. Pra nuk do të heqësh lojtarë që t’i lësh në tribunë dhe ata mund të prishnin atmosferën e skuadrës, por do të jenë të gjithë aktiv në stol dhe në fushë. Por edhe sa i përket menaxhimit, pasi të gjitha programet e stërvitjes bëhen me 22 futbollistë dhe 1 portier që mund të ngelet jashtë fushe”, tha Duka.