Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” po punohet për zgjerimin e terminalit, rehabilitimin e pistës dhe shtimin e numrit të vendqëndrimeve të avionëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, ku po investohet paralelisht në disa drejtime.

Rama u shpreh se kjo është një ndërhyrje thelbësore e cila rrit ndjeshëm kapacitetet e aeroportit duke ju përgjigjur fluksit të shtuar të pasagjerëve.

“Të dhënat parashikojnë që 2024-ta të jetë një vit akoma edhe më i suksesshëm se viti i kaluar, ndaj do bëjmë gjithçka për të mos krijuar asnjë vonesë në përpunimin e pasagjerëve”, u shpreh kryeministri.

Investimi i përgjigjet rritjes së ndjeshme të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve. Të dhënat e muajve të parë të këtij viti parashikojnë që viti 2024 të sjellë në Shqipëri një numër akoma edhe më të madh të pasagjerëve, krahasuar me vitin e kaluar.

Sa i takon pistës, zgjatimi i saj do të bëjë të mundur fluturimet transoqeanike. I gjithë investimi parashikohet të jetë gati verën e vitit të ardhshëm. Gjithashtu ndërtimi i rrugës lidhëse krijon lehtësira në menaxhimin e trafikut ajror.

Vitin e kaluar në tremujorin e parë në aeroportin e Rinasit ka pasur 92 fluturime në ditë, ndërkohë që gjatë vitit 2024 janë 147 fluturime, një shifër që tregon rritjen e madhe të fluksit të pasagjerëve./ata