Kryeministri Edi Rama, u prit sot në Paris nga presidenti Emannuel Macron. Kreu i qeverisë publikoi një video nga ceremonia e pritjes.

“Momente kuptimplota krenarie për Shqipërinë”, shkruan Rama, në një postim në rrjetet sociale.

Rama u nderua sot në ceremoninë e mbajtur në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, në Paris, një kompleks i mirënjohur muzeal dhe monumentesh, të lidhura me historinë ushtarake e Francës. Kryeministri Rama dhe bashkëshortja Linda Rama, u pritën në portikun e hyrjes nga ministri për Europën Jean-Noël Barrot dhe nga guvernatori ushtarak i Parisit, gjeneral korparmate Christophe Abad.

Më pas, Kryeministri, i shoqëruar nga komandanti i trupës së Gardës Republikane, përshkoi Oborrin e Nderit, në prezencën e tri togave të rreshtuara të Gardës.

Himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Francës vijuan protokollin e ceremonisë e më tej Kryeministri Rama i shoqëruar nga komandanti i trupës parakaloi para togave të Gardës.

Nderimet ushtarake para Kryeministrit Rama u paraqiten nga një detashment i përbërë nga orkestra e Gardës Republikane dhe tri toga të regjimenteve të Këmbësorisë të Gardës Republikane.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me presidentin Macron në Pallatin Elysee, kryeministri Rama vlerësoi ceremoninë ushtarake të pritjes në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, në Paris, ndërsa u shpreh se ishte hera e parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe diplomatike që një përfaqësues i shtetit shqiptar të pritej në atë mënyrë.

Gjatë vizitës dyditore në Francë u nënshkruan dhe disa marrëveshje bashkëpunimi./ata