Ministri i Brendshëm, Taulant Balla kërkoi ndërhyrje energjike e të shpejtë në nivel inspektues në Shërbimin Zjarrfikës, për të parandaluar ngjarje me pasoja në të ardhmen dhe ruajtur jetën e pronën e qytetarëve.
“Në vitin 2023 janë kryer 3,498 inspektime dhe diferenca me masat administrative është shumë e madhe, janë vendosur vetëm 42 masa. Nuk e besoj dot se ka kaq pak shkelje. Shoh dy mundësi, ose inspektimet janë selektive tek subjektet që nuk kanë probleme, ose janë kryer pa analizuar problemet reale”, nënvizoi ministri.
Ai theksoi rëndësinë kyçe të këtij shërbimi jetik për qytetarët.
“Nëse nuk bëhet inspektimi në një ndërtesë dhe aty ndodh një fatkeqësi, janë kushtet e shpërdorimit të detyrës”, u shpreh ai.
Ministri apeloi për integritetin e inspektorëve të MZSH. Më tej, Balla kërkoi reformim total të Shërbimit Zjarrfikës, në nivelin inspektues në shkallë vendi.
“Shërbimi zjarrfikës ka nevojë për uniformizim dhe përmirësim më të prekshëm si në Drejtorinë e Përgjithshme, e gjithashtu në nivel vendor”, deklaroi Balla, në një takim të mbajtur me drejtuesit e Shërbimit në 61 njësi vendore në Shqipëri.
Ministri tha se duhet plotësuar baza e plotë nënligjore për rekrutimet, trajnimet, menaxhimin e të dhënave, si dhe përmirësimin e transparencës së inspektimeve ndaj bizneseve.
Sezoni turistik ka filluar dhe vera po afrohet si stinë, e kanë filluar problematikat e zjarreve.
“Jemi të gjithë të mirëkuptuar se gjithçka thashë është një epikrizë jo e plotë e situatës. E di fare mirë që në një pjesë të bashkive nuk kemi flotën e duhur të mjeteve zjarrfikëseve, nuk janë punonjësit e duhur në disa njësi vendore të trajnuar në këtë shërbim, por drejtuesit vendorë duhet të kuptojnë se të punosh në këtë shërbim nuk është qokë, sepse rrezikon edhe vetë jetën e atij personi që është emëruar në atë detyrë që nuk ka njohuri”, deklaroi Balla.
Ai foli për ndryshim të menjëhershëm të situatës, referuar të dhënave të ofruara nga inspektimet për këtë vit.
“Nuk duhet të ketë asnjë objekt me intensitet të madh publik si hotel, kinema, etj., pa u inspektuar”, tha ministri i Brendshëm, i cili në ditët e para të vitit ka firmosur një urdhër që detyron MZSH-në të kryejnë inspektime në çdo subjekt.
“Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan, kërkon edhe një shërbim zjarrfikës kampion”, nënvizoi Balla, duke thënë se nuk do ta ndalë angazhimin për përkujdesjen ndaj këtij Shërbimi./ata