Ashtu siç ishte parashikuar, ka nisur mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, ku e pranishme është dhe ministrja Albana Koçiu.
Kjo e fundit po pyetet për incidentin që ka ndodhur pak kohë më parë në QSUT pas rënies së një zjarri.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe “Memoriali” i Fierit, si dhe Qendrat Spitalore si ajo e “Shefqet Ndroqit” i kanë të gjithë mundësitë për të përballuar të gjithë fluksin dhe të ofrojnë shërbimin e zhvendosur nga Urgjenca Kardiologjike dhe sëmundjet e brendshme të QSUT-së”.
“I vetmi shërbim që është zhvendosur përkohësisht është urgjenca kardiologjike dhe e sëmundjeve të brendshme, që falë investimeve përballohet pa vështirësi tek Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, Spitali Rajonal Memorial i Fierit dhe Spitali Rajonal Shkodër. Nën një koordinim shumë profesional edhe të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”, nënvizoi Koçiu.
Ajo bëri me dije se aktualisht QSUT ka zhvilluar procedurat për të rikthyer këtë shërbim dhe kompania kontraktore fituese ka filluar punën për rehabilitimin.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu deklaroi se punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për të sjell situatën në gjendjen para ndodhjes së këtij incidenti.
Mbledhjen e kaluar jashtë rendit të ditës, në komision Albana Vokshi bëri dhe një denoncim të rëndë, duke iu referuar burimeve të saj, se 4 pacientë të intubuar kishin humbur jetën si pasojë e mungesës së energjisë në QSUT. Por ky institucion mohoi akuzuar, ndërsa tha se në QSUT nuk ka humbur jetën asnjë pacient për shkak të këtij defekti teknik./BalkanWeb