Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ankimimin e Lëvizjes Bashkë për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 14 majit.

 

Vendimi është marrë me shumicë votash. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, palët paraqitën argumentet e tyre, por KAS vendosi të rrëzojë ankimimin.

 

Në një deklaratë për mediat, kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori tha se ky vendim është i padrejtë dhe se do ta çojnë në Kolegjin Zgjedhor. Paralelisht, Qori tha se do të vijojnë me mbledhjen e firmave për t’u regjistruar në këto zgjedhje si kandidat i pavarur.

 

“Ne do ta ankimojmë këtë vendim në Kolegjin Zgjedhor dhe paralelisht do të vijojmë me mbledhjen e firmave. Sot në këtë ditë festë do të thyejmë rekordin e firmave të mbledhura për Lëvizjen Bashkë dhe për mua si kandidat i pavarur. Asnjë i korruptuar nuk na pengon ne”, tha Qori në deklaratën për media.

 

Kujtojmë se më herët, KAS nuk pranoi ankimimet e Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt për regjistrimin në zgjedhje, ndërsa sot Ilirjan Celibashi do të vendosë nëse PD e grupimit të Alibeajt do të jetë subjekt zgjedhor më 14 maj.