Zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti deklaroi sot se, qeveria synon përmirësimin e situatës për sa i përket përparimit në karrierë dhe vlerësimit të drejtë të punës së çdo ushtaraku që shërben në Forcat e Armatosura.

Në fjalën e tij në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ku u diskutuan ndryshimet në ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Joti tha se, ky projektligj do të garantojë përmirësimin e funksionimit të Forcave të Armatosura, duke përmirësuar aspekte të rëndësishme të karrierës ushtarake, siç janë rekrutimi, mosha maksimale e shërbimit për çdo gradë etj.

Joti theksoi se, “nëpërmjet kësaj nisme synohet të arrihet një vlerësim sa më dinjitoz për komponentin ushtarak, si edhe të përmirësohet mënyra e menaxhimit të karrierës së ushtarakëve aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Relatori i çështjes, Bardhyl Kollçaku, u shpreh se propozimet e ardhura për këtë ligj janë të drejta dhe se duhet të ishin propozuar më herët këto ndërhyrje, pasi problematikat e ngritura kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen për ta rregulluar aktivitetin e Forcave të Armatosura, për të rritur efektivitetin dhe për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë që Shqipëria, si pjesë e aleancës më të madhe të sigurisë është duke u ndeshur. Këto ndryshime do të bëjnë të mundur përmirësimin e situatës aktuale, duke rregulluar balancat, duke rritur rekrutimet, mbajtjen e personelit dhe duke rritur përgatitjen dhe aftësitë e personelit ushtarak të Republikës së Shqipërisë.

“Jam dakord me ndryshimet e propozuara, ku jo vetëm do të ndikojnë në rritjen e operacionalitetit, por do i japin një frymëmarrje sidomos edhe plotësimit të funksioneve organike të munguara në këto momente. Por, në kushtet edhe të kërcënimeve të shtuara, qoftë në rajon por edhe si aleancë, do të rrisin kontributin dhe funksionalitetin e Forcave të Armatosura”, vuri në dukje  Kollçaku.

Të ftuar për këtë projektligj ishin edhe Ardit Çollaku – drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë në Fushën e Mbrojtjes, Aleksandër Pando – drejtor i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, etj.

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./ata