Rreth 60 mijë fermerë në shkallë vendi, kanë dorëzuar dosjet deri tani për të përfituar subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2024.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arjan Jaupllari në një prononcim për mediet tha se, “numri total i aplikimeve ka shkuar në 59 750 aplikime. Ndërkohë që deri në datën 19 prill, pritshmëria jonë është që aplikimet mund të shkojë edhe deri në 70 mijë, ku pjesën më të madhe e zë nafta”.

Sipas tij, këtë vit risi është aplikimi në grup.

“222 aplikantë janë bashkuar në grup, numrin më të madh të aplikantëve të bashkuar në grup e shënojnë prodhuesit në serra. Kemi edhe aplikimet të sektorit të blegtorisë për tufën bazë, edhe për bimët mjekësore”, u shpreh Jaupllari.

Jaupllari tha se, “në fazën e dytë, do të bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe në fazën e tretë do nisë verifikimi në terren për çdo aplikant”.

Nga buxheti i shtetit janë rreth 3.3 miliardë lekë që do alokohen për mbështetjen e fermerëve, ku 1.2 miliardë prej tyre shkon për naftën dhe 2.1 të tjera për blegtorinë, bimët mjekësore dhe serrat./ata