Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) Laura Plaku priti sot në një takim ambasadoren e Japonisë në vendin tonë, Kikuko Kato.
Gjatë takimit ambasadorja Kato shkëmbeu mendime me drejtoreshën e AIDA-s, Plaku për mjedisin e investimeve në Shqipëri, si dhe nxitjen e tregtisë dhe investimeve midis Japonisë dhe Shqipërisë.
Aktualisht Shqipëria dhe Japonia janë pak të lidhura pasi largësia e tregut i bën produktet të shtrenjta. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se eksportet e mallrave drejt Japonisë ishin 850 milionë lekë në 2023-shin, ndërsa importet 3.6 miliardë lekë.
Prej disa vitesh është ngritur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni e cila ka për qëllim të favorizojë zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë nëpërmjet krijimit të një rrjeti kontaktesh ndërmjet korporatave, këshillimi, ndërmjetësimi, orientimi i tyre për vendosjen në tregun shqiptar./ata