Në Prishtinë është hapur edicioni i 20-të i Panairit tradicional ndërkombëtar i Turizmit dhe Sportit.
Ky panair i cili do të jetë i hapur për vizitorë më 16 dhe më 17 prill në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, shërben si një platformë për të shfaqur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike, peizazhet e ndryshme dhe përvojat emocionuese sportive të Kosovës dhe më gjerë.
Në këtë panair, vizitorët do të gjejnë informacione dhe frymëzim për të planifikuar udhëtime dhe për të eksploruar aventura dhe aktivitete sportive. Nga turizmi kulturor dhe historik deri te sportet aventureske, panairi ofron një eksplorim gjithëpërfshirës të të gjitha aspekteve të turizmit dhe sportit.
Pjesëmarrës të këtij panairi janë federata të ndryshme të sportit, komuna nga Kosova dhe Shqipëria si dhe biznese turistike nga rajoni. Krahas këtij panairi, në "1 Tetori" është hapur edhe Panairi Edukimit, Karrierës dhe Punës si ngjarja më e madhe edukative në Kosovë.
Ky panair bashkon edukatorë, institucione dhe profesionistë nga vende të ndryshme duke ofruar një platformë për angazhim të drejtpërdrejtë midis institucioneve arsimore dhe studentëve. Panairi paraqet programe, produkte dhe shërbime inovative që formojnë të ardhmen e arsimit.
Të dy panairet organizohen nga "CEO - Congress & Event Organization"./aa