Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha sot se, “qeveria ka miratuar vendimin për ristrukturimin e Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, me qëllim forcimin e dialogut mes qeverisë dhe strukturave vendore për të çuar më përpara bashkërendimin e punës midis qeverisë dhe pushtetit lokal”.
Në komunikimin me mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Mazniku theksoi se, “ky vendim, vjen në përgjigje të kërkesës dhe nevojës që u parashtrua në turin e takimeve lokale, për të intensifikuar dhe bashkërenduar më mirë punët mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale”.
“Këshillit Konsultativ ka në strukturën e saj 11 anëtarë të kabinetit qeveritar dhe 11 anëtarë të pushtetit vendor, të cilët takohen në mënyrë periodike për të diskutuar paraprakisht aktet ligjore që qeveria parashikon të kalojë, të cilat lidhen me çështjet e pushtetit vendor, por gjithashtu për të diskutuar edhe për çështjet të tjera që bashkitë kanë me situatën e tyre financiare, planet e investimeve apo ato zhvillimore që ndërlidhen mes qeverisjes qendrore dhe vendore”, tha Mazniku.
Një element tjetër që shtohet në këtë akt vijoi ai, është krijimi i një këshilli teknik, një strukturë teknike, e cila do të marrë në shqyrtim teknikisht aktet, përpara se ato të kalojnë në procesin e miratimit.
Mazniku u shpreh se, “i rëndësishëm është fakti që përtej kërkesave ligjore për dialog dy herë në vit, ne synojmë që duke nisur që nga muaji maj i vitit që vjen, të kemi në mënyrë periodike çdo muaj, një takim midis gjithë bashkive dhe kabinetit qeveritar, një takim virtual online për të diskutuar çdo problematikë të bashkive që mund të kenë, me përfaqësuesit e dikastereve përkatëse duke çuar dhe një hap më tej bashkërendimin e punës midis qeverisë dhe pushtetit lokal”./ata