Qyteti i gurtë i Gjirokastrës edhe në muajt e parë të këtij viti ka shënuar rritje të numrit të turistëve vendas e të huaj.
Drejtori Rajonal i Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Ardis Duka tha sot për ATSH-në se “në periudhën janar-mars kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga 14 mijë turistë, 40% më shumë se në 2023. Turistët që kryesojnë në qytetin e gurtë janë nga Spanja dhe Italia”.
“Ndërsa në tre muzetë, ai i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare”, të cilat janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit u vizituan nga 3160 turistë në janar-mars”, tha Duka.
Duka bëri të ditur se DRTK Gjirokastër dhe bashkia kanë marrë masa për pritjen e turistëve.
“Janë kryer aksione për pastrimin e sistemin e monumenteve, siteve arkeologjike, muzeve, etj në mënyrë që turistët të gjejnë mjedise të pastra”, shtoi ai.
Viti 2023 ishte më i suksesshmi për Gjirokastrën sa i përket turizmit jo vetëm për nga numri i vizitorëve me 300 mijë të tillë, por edhe impaktin që krijon duke përfshirë rritjen e ekonomisë lokale.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. K
Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./ata