Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi takime këtë të dielë në zonën e “Freskut” së bashku me Silva Cakën, e cila është një ndër emrat e Partisë së Lirisë, që do të garojë për Këshillin Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet e 14 Majit.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Meta thotë se kjo lagje është kthyer në një qytet brenda qytetit, por infrastruktura e saj nuk u përgjigjet nevojave të banorëve.

Ai rendit disa nga problematikat e zonës si, rrugët e ngushta e të shkatërruara, mungesa e kanalizimeve, mungesa e trotuareve, pamundësia për parkimin e makinave etj.

“Kjo lagje e re e Tiranës është kthyer në një qytet brenda qytetit, por infrastruktura e saj nuk u përgjigjet nevojave të banorëve.

Qytetarët që takova më treguan për problematikat e përditshme me të cilat ata përballen e që do të zgjidheshin thjesht, po të kishte drejtues bashkiakë që fokusohen te puna dhe jo vetëm te propaganda.

Rrugë të ngushta e të shkatërruara, mungesa e kanalizimeve, mungesa e trotuareve, pamundësia për parkimin e makinave, çerdhe e kopshte me kapacitet të ulët, që nuk iu përgjigjen nevojave të zonës, si dhe përkeqësimi i situatës me ujin, që s’mund të pihet më, kërkojnë zgjidhje nga ekipi ynë që do votohet në 14 Maj për të sjellë Ndryshimin”-shkruan Meta.