Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka analizuar dhe një herë situatën me taksimin e profesionistëve të lirë.

Një temë që ajo ka kohë që e shqyrton sa në parlament aq edhe ne rrjetet sociale, ndërsa ka dërguar në emër të grupit parlamentar të PD një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo argumentoi se një sistem i padrejtë taksimi nuk mund të ofrojë një Shqipëri më të mirë dhe një shoqëri më të drejtë. Ndaj taksimi i profesionistëve të lirë është një tjetër goditje për shtresën e mesme.

“Mijëra mesazhe nga të rinjtë, profesionistë të lirë që kanë filluar nga 1 prilli të marrin taksën e re të shtuar 30%-40% të xhiros.

Teknologjia e informacionit, ekonomi, dentistë, farmacistë; 30 mijë profesionistë të lirë të cilët janë duke paguar një taksë jo të drejtë, një taksë të pabarabartë, të një sistemi të pandershëm taksimi i cili nuk promovon punën, nuk nxit punën, por promovon dhe nxit korrupsionin.

Për këtë arsye kemi çuar një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj shumë që të gjithë profesionistët e lirë t’i bashohen zërit kundër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Ne duhet patjetër që ta ndryshojmë këtë realitet. Ne duhet patjetër që të mbështesim shtresën e mesme, duhet të mbështesim inovacionin, të mbështesim punën.

Duhet të mbështesim këdo që do të sakrifikojë për të jetuar këtu. Nuk mund të jetë Shqipëria e modelit të korrupsionit!

Nuk mund të jetë Shqipëria e favorizimit dhe përjashtimit nga taksat dhe nga ana tjetër taksa të padrejta për ato që punojnë. Këtë realitet duhet të ndryshojmë dhe këtë sistem duhet të ndryshojmë.”, shprehet Tabaku.