Kryetari i Partisë Demokratike në një konferencë për mediat në selinë blu, është shprehur se Dorian Duçka dhe Agron Neza, shkonin në biznese të ndryshme për të marrë para duke vendosur gjoba.

 

Berisha ka thënë se një nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi Ylli Ndroqi.

 

Sipas tij Neza dhe Duçka i kanë kërkuar Ndroqit gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve, sikurse Berisha u shpreh.

 

“Në takimin tonë para një jave, unë ju informova ju se ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.

 

Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora Neës, Ylli Ndroqi.

 

Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve.

 

Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane”, tha Berisha.