Të rinjtë e talentuar të shkollave të mesme të qarkut të Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit  ishin sot protagonistët e ndeshjeve gjysëm finale të volejbollit për ekipet e vajzave dhe djemve që garuan për skuadrën më të mirë, në kuadër të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, financuar nga qeveria për nxitjen dhe masivizimin e sportit tek të rinjtë.

 

Gjatë periudhës 15 Maj dhe deri me 5 Qershor zhvillohen ndeshjet gjysmë finale me sistem grumbullimi në 4 qarqe të Shqipërisë, ku sipas rezultateve, ekipet fituese të volejbollit dhe basketbollit për shkollat e mesme dhe 9-vjecare do të kualifikohen në finalen e madhe në mesin e qershorit.

 

Kryeministri Rama i cili i ka ndjekur nga afër ndeshjet e nxënësve edhe në qytete të tjera, nuk mungoi mes të rinjve shkodranë, kuksianë e lezhianë, së bashku me Kryetarin e Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli, Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, si dhe qindra nxënës të tjerë, mësues dhe prindër, të mikpritur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër.

 

Nga projekti “Ekipet sportive në Shkolla” përfitojnë direkt më shumë se 10,000 vajza dhe djem, në shkallë vendi, si dhe janë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbollit për të dyja gjinitë.