Me një homazh për të ndjerin Ardian Nikulaj, i cili u vra më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin, nisi takimi i kryetarit të Partisë Social Demokrate Tom Doshi me miqtë e biznesmenit dhe njëkohësisht mbështetës të PSD-së. Nikulaj ishte kandidat i PSD-së për anëtar të Këshillit Bashkiak të Lezhës. Kreu i socialdemokratëve kërkoi që Lezha të bëjë realitet amanetin e Nikulaj për ta çuar në fund misionin që ai kishte…

“Ka qenë shok e vëlla jo vetëm për mua por për të gjithë ç’jeni këtu. Dhe kjo duket edhe nga pjesëmarrja juaj këtu. Ne nuk do ta lëmë në rrugë misionin e tij. Ai na ka lënë porosinë. Ka thënë ‘nëse më ndodh gjë mua ju vazhdoni rrugën’. Këtë ia ka thënë edhe vajzës së tij. Nuk ka qenë e lehtë për mua të jem këtu. Kam qenë shumë i lidhur me ty. Ju e keni pritur këtë mesazh prej meje. Dhe unë për këtë kam ardhur sot këtu, të votoni nr. 8 Partinë Socialdemokrate”

Pavarësisht akuzave për ta ngjyrosur politikisht vrasjen e Ardian Nikulaj, kryetari i PSD Doshi ka një falënderim për policinë e shtetit e cila zbardhi autorët që ekzekutuan Nikulajn ndërsa tha se misioni i të ndjerit nuk do të mund të shuhet asnjëherë…

“Berisha u mundua ta përziente ngjarjen me politikën. Ne jemi të kënaqur që nga ka prapavijë politike. Unë dua të falënderoj sot policinë që të gjithë sot e dimë se një grup kriminal erdhi dhe mori pjesë në vrasjen e Ardianit. Ju të gjithë e dini sa i rëndësishëm është Këshilli Bashkiak, ne pretendojmë që në Lezhë dhe në Mirditë do të dalim forcën e parë. Edhe në Laç po punojmë. Kjo pjesëmarrje kaq e madhe na bën optimistë edhe për fitoren e thellë që do të kemi. Pas 2 vitesh kemi zgjedhjet parlamentare dhe duhet të kemi deputetin tonë në qark”, tha Tom Doshi.

Mbështetësit e PSD dhe miqtë e Ardian Nikulaj deklaruan se në zgjedhjet vendore të 14 majit por edhe zgjedhjet e ardhshme do vijojnë që të jenë të bashkuar si dhe të bindur se numri i atyre që do t’i besojnë votën PSD do të jetë gjithnjë e më i madh.