Qyteti i Pukës është mbuluar nga reshjet e dëborës këtë të diel prilli duke ofruar një pamje magjepsëse.

Flokët e dëborës kanë mbuluar gjithçka, duke ofruar pamje mbresëlënëse, ku kombinohen mjaft bukur liqeni dhe malet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet e bukura të qytetit verior nën petkun e dëborës.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra.

Kjo qytezë alpine mbart në vetvete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Po ashtu, Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe malin e Krrabit./ata