“Shqipëria është promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë nëpërmjet politikës së dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit”.
Kështu theksoi sot Presidenti Bajram Begaj gjatë takimit në Presidencë me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, përfaqësues nga vende të ndryshme të NATO-s dhe ato partnere.
“Shqipëria beson dhe ka treguar në angazhimet e saj ndërkombëtare se multilateralizmi është mekanizmi i duhur që ofron zgjidhje të pranueshme në përballje me sfidat e përbashkëta të vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, nënvizoi Begaj.
Kreu i Shtetit përcolli vizionin e tij për Shqipërinë e së ardhmes në përgjigje të interesit të studentëve të këtij kursi.
Begaj u shpreh se e sheh Shqipërinë të vendosur drejt realizimit të objektivave dhe ëndrrës shqiptare të kamotshme euroatlantike.
Pjesëmarrësit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes u njohën nga Këshilltarët e Kreut të Shtetit me rolin dhe funksionet e Presidentit në një Republikë Parlamentare, si edhe në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë dhe mbrojtjes./ata