Po zhvillohet sot faza gjysmëfinale e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe 2024.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot drejtpërdrejt në rrjetet sociale zhvillimin e fazës gjysmëfinale të konkursit, ku garojnë me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe komunikuese, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, Durrës dhe shkolla “Naun Doko”, Roskovec.
 

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe 2024 bashkoi 11 000 nxënës nga 930 shkolla 9-vjeçare anembanë Shqipërisë.

Pas dy fazave të mbushura me sfida në nivel shkolle dhe në nivel qarku, tani është momenti i grupit të 16 shkollave gjysmëfinaliste.

Ky konkurs ka tërhequr një vëmendje të veçantë, pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Rëndësia e këtij konkursi qëndron jo vetëm në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhën shqipe, por edhe në kontributin e tij ndaj forcimit të identitetit kombëtar dhe kultivimit të një brezi të ri të përkushtuar ndaj trashëgimisë së tyre kulturore.

Përmes kësaj nisme, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë dhe të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën shqipe, duke u bërë ambasadorë të saj brenda dhe jashtë kufijve të vendit./ata