Në vijim të vizitës zyrtare në Abu Dhabi, ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi të martën një vizitë në Kolegjin e Policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Balla u prit gjatë kësaj vizite në takim nga kolonel Waleed Salem Al Shamesi, Drejtor i Përgjithshëm i Kolegjit të Policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë takimit ministri Balla theksoi nevojën për të forcuar bashkëpunimim me Akademinë e Sigurisë dhe rritjen e shkëmbimeve të studentëve.
“Një bashkëpunim i rëndësishëm mes dy policive ishte dhe ajo mes akademive, kur studentët shqiptarë të akademisë së Sigurisë do të kenë mundësi të studiojnë në Akademinë e Policisë së Abu Dabit, duke marrë eksperiencën më të mirë për krimin kibernetik, krimin e organizuar dhe pastrimit të parave”, tha Balla.
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në luftën kundër krimeve kibernetike, pastrimit të parave dhe të gjitha tipologjive të krimeve përfshirë luftën kundër narkotikëve ishin në fokus të takimit.
Një ditë më parë, Balla u takua me homologun e tij Saif Bin Zayed Al Nayan me të cilin u dakordësua për ngritjen e një taskforce të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu, gjatë takimit me ministrin Saif Bin Zayed Al Nayan, u diskutua dhe për sa i përket teknologjisë në menaxhimin e trafikut si dhe identifikimit të personave të kërkuar.
Temë tjetër e diskutuar ishte dhe çështja ekstradimeve dhe bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi./ata