Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas reportazhit të televizionit italian RAI 3 për lidhjet kriminale të qeverisë në vendin tonë. Teksa ditën e sotme një media tjetër italiane La Repubblica, ka nxjerr hapur një episod që ka ndodhur ditën e djeshme mes Ramës dhe drejtorit të RAI 3, Paolo Corsini. Sipas medias italiane, kryeministri Rama ka telefonuar Corsinin dhe e ka sulmuar për të dhënat e publikuara në reportazhin 60 minuta të emisionit Report.

Ndërkohë që ditën e sotme, kryeministri nuk ka zgjedhur që të reagojë publikisht për këto ngjarje, por vendosi që të bëj një sqarim në një nga mediat pranë qeverisë Report Tv. Në reagimin e tij, Rama e ka quajtur reportazhin e gazetarit italian si një qasje kriminale mbi lirinë e medias dhe një shpifje për të baltosur Shqipërinë. Ndërkohë që ka theksuar se Sekretari i Përgjithshëm ëngjëll Agaçi do të ngrejë padi penale ndaj gazetarit për çfarë ka nxjerrë në reportazh.

Reagim i Ramës:

Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij. 

Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!

Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë.

Reportazhi i emisionit Report në "Rai 3", i publikuar mbrëmjen e së dielës ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës./Dosja