Nënkryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha sot se qëndrimi i PD-së në lidhje me Reformën Zgjedhore përmban pikat kyçe që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme.

Në një deklaratë për mediet, Bylykbashi tha se “është një qëndrim që gjithashtu i jep përgjigje problematikave të rënda që zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur këto 10 vitet e fundit, por në mënyrë të veçantë në vitin 2021 dhe 2023”.

Sipas tij, kjo platformë e PD i përgjigjet Librit të Zi të Zgjedhjeve 2023, që u konfirmua me të njëjtin ton kritik të rëndë edhe nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.

Bylykbashi tha se çështjet që përfshin kjo platformë janë dy elemente shumë të rëndësishme.

“E para, PD kërkon rikthimin te marrëveshja e 5 qershorit 2020. Kjo marrëveshje jo vetëm trajton të gjitha problematikat e zgjedhjeve, të cilat vetëm sa janë rënduar edhe më shumë, duke e bërë më dramatike situatën e standardeve zgjedhore. Është një marrëveshje që ka konsensusin e palëve politike. Është një marrëveshje që nuk u përshëndet vetëm nga ambasadorët, por u përshëndet edhe nga kancelaritë diplomatike në Uashington, në Bruksel, Berlin e me radhë”, theksoi Bylykbashi.

Në këtë aspekt, shtoi ai, çështja që ne kërkojmë është rikthimi i koalicioneve siç kanë qenë deri në vitin 2020.

“Gjithashtu kolona e dytë e rëndësishme që ka lidhje me marrëveshjen e 5 Qershorit, ne angazhohemi në kuadër të përmirësimit të kuadrit ligjor, në mënyrë të veçantë forcimit të kornizës penale ligjore, të trajtojmë rekomandimet përfundimtare dhe ato prioritare të OSBE/ODIHR të vitit 2021 dhe 2023. Janë rekomandime shumë të rënda dhe na duhen edhe dispozita të reja penale ose të forcojmë dispozitat ekzistuese”, nënvizoi Bylykbashi duke shtuar se PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës.

“Një tjetër propozimi i yni është që votimi të jetë i detyrueshëm në përputhje me shtetet të tjera që e përdorin këtë mekanizëm. Duket sikur detyrohet zgjedhësi, por në fakt është mbrojtje e zgjedhësit. Pra mbron të drejtën e tij për të votuar i lirë”, tha Bylykbashi./ata