Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Republikës së Finlandës.

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Finlandës, Kimmo Kiljunen dhe anëtarët Tytti Tuppurainen, Sebastian Tynkkynen, Vilhelm Junnila, Jarmo Lindberg, Eva Biaudet, Jussi Saramo, Jonna Savola dhe Maria Hyvönen.

Në nisje të takimit, Felaj vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha nivelet.

Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë si dhe i njohu anëtarët e delegacionit më nga afër me sfidat dhe reformat e ndërmarra nga parlamenti shqiptar, reformën e pagave dhe mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj qytetarëve, fermerëve dhe biznesit.

“Një ndër gjërat për të cilat kemi luftuar shumë ka qenë barazia gjinore. Kjo gjë është reflektuar në qeverisjen qendrore dhe pushtetin lokal. Kemi kërkuar edhe nga ODIHR një audit gjinor, mund të jetë një hap i rëndësishëm sa i takon betejës për barazinë gjinore. Aktualisht kemi shërbimet publike të digjitalizuara. E kemi konsideruar këtë si një mënyrë të çmuar për të luftuar korrupsionin dhe burokracinë e zyrave. Një reformë tjetër ka të bëjë me pagat. Do të punojmë për reformën e pensioneve. Mbështesim fermerët dhe biznesin e vogël. Këto i kemi konsideruar si një rrugë për të rritur ekonominë dhe iniciativën e lirë. Sa i përket procesit të integrimit europian kemi çelur 33 kapituj dhe dëshirojmë të vazhdojmë me të tjerët. Falënderojmë vendin tuaj për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe çeljen e negociatave”, u shpreh Felaj.

Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Finlandë, Kimmo Kiljunen, u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen si dhe përgëzoi për numrin e madh të femrave në politikë. Kiljunen nënvizoi se do të angazhohen për të pasur edhe një përfaqësi diplomatike të Shqipërisë në Finlandë.

Delegacioni nga Komisioni për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Republikës së Finlandës është duke vizituar Shqipërinë në vijim të turit të tyre ballkanik, pasi më herët kanë vizituar Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut./ata