Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, Gjermania ka përditësuar planet e saj në rast lufte në Evropë.

Dokumenti prej 67 faqesh, i njohur si Direktiva Kuadër për Mbrojtjen Totale, u publikua këtë javë dhe përshkruan një transformim të plotë të jetës së përditshme të qytetarëve gjermanë në rast lufte.

Në dokument thuhet se, në rast lufte, do të rikthehet rekrutimi i detyrueshëm në ushtri, punëtorët e kualifikuar mbi moshën 18 vjeç mund të punojnë në punë të caktuara, si në furra buke dhe zyra postare. Mjekët, psikologët, infermierët dhe veterinerët, sipas dokumentit, do të punonin në shërbimin ushtarak dhe civil.

Qeveria do të krijojë rezerva ushqimore, do të sigurojë një vakt në ditë

Në rast të mungesës së ushqimit, qeveria do të krijojë rezerva ushqimore për t’u siguruar qytetarëve “një vakt të ngrohtë në ditë”.

Rezervat do të përfshijnë ushqime të tilla si orizi, bishtaja dhe qumështi i kondensuar. Burime të tjera kyçe si benzina dhe nafta gjithashtu mund të racionalizohen me kuponë nëse ato bëhen të pakta.

Gjithashtu përmenden masat e mbrojtjes civile, duke përfshirë kthimin e stacioneve nëntokësore në bunkerë të improvizuar dhe përgatitjen e spitaleve për një fluks pacientësh. Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser deklaroi se është e nevojshme që vendi të armatoset më mirë në funksion të agresionit rus.

“Agresioni rus ka ndryshuar plotësisht situatën e sigurisë në Evropë – kryesisht në mesin e partnerëve tanë lindorë në BE dhe NATO, siç janë shtetet baltike, por edhe për shkak të kërcënimeve hibride si sulmet kibernetike, spiunazhi dhe dezinformimi”, tha ajo.

Spitalet, përgatitje për të trajtuar një numër të madh pacientësh

Përveç të gjitha masave mbrojtëse të organeve të sigurisë dhe parandalimit dhe mbrojtjes ushtarake, duhet të forcohet edhe mbrojtja civile.

Dokumenti paralajmëron se spitalet gjermane duhet të përgatiten për të trajtuar një numër të madh pacientësh për një periudhë të gjatë.

Si dhe fakti që, në rast të shpërthimit të luftës, popullata gjermane nuk mund të llogarisë që “ndihma e organizuar nga shteti” të jepet menjëherë, për shkak të mundësisë që “dëmtimet të ndodhin njëkohësisht në një numër të madh vendndodhjesh”.

Prandaj, thuhet në të, civilët duhet të jenë të përgatitur për të ndihmuar së pari veten e tyre, si dhe për të ndihmuar fqinjët e tyre aty ku është e mundur. Bodrumet, parkingjet nëntokësore dhe stacionet e metrosë duhet të përdoren si bunkerë të përkohshëm, thuhet në dokument.

Transmetuesve gjermanë dhe mediave dixhitale do t’u kërkohet me ligj që të ndajnë menjëherë informacione të rëndësishme qeveritare. Autoritetet do të kenë autoritetin për të evakuuar civilët në zonat e përcaktuara, por nuk duhet të ndajnë familjet. Megjithëse Shërbimi Meteorologjik Gjerman pritet të vazhdojë në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, autoritetet mund të ndalojnë ose kufizojnë publikimin e parashikimeve.

Ministri gjerman: Gati për luftë deri në vitin 2029

Planet e përditësuara të luftës të Gjermanisë vijnë pas kërcënimeve të Putinit ndaj sigurisë evropiane. Lufta në Ukrainë po vazhdon për të dytin vit, nuk po i duket fundi dhe po rritet frika se konflikti mund të përhapet në NATO.

Spiegeli gjerman ka publikuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius: “Duhet të jemi gati për luftë deri në vitin 2029. Nuk duhet të besojmë se Putini do të ndalet në kufijtë e Ukrainës”.

Rekrutimi u hoq në vitin 2011 dhe rifutja e tij në Gjermani ka shkaktuar polemika. Përkatësisht, Ministria gjermane e Mbrojtjes po planifikon të forcojë ndjeshëm përbërjen rezervë të forcës ushtarake në 60.000 burra dhe gra, tha një zyrtar i lartë i forcave rezervë.

Ish-Sekretari britanik i Mbrojtjes: Luftë ndoshta, deri nga fundi i dekadës

“Jam i bindur se ne duhet t’i përshtatim plotësisht rezervat me sfidat aktuale të sigurisë në mënyrë që të mbështesim siç duhet Bundesëehr-in në përmbushjen e detyrave të mbrojtjes kombëtare dhe aleate (NATO),” tha gjenerallejtënant Andreas Hope, Zëvendës Inspektori i Përgjithshëm dhe Komisioneri për Çështjet e Rezervës.

Përveç kësaj, një pjesë e qeverisë britanike shprehu nevojën për të qenë gati për luftë. Ish-sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha në shkurt se “lufta po vjen” në Britani deri në fund të dekadës.

Kujtojmë se javët e fundit Rusia lëshoi ​​disa nga paralajmërimet më të ashpra për Perëndimin pasi disa aleatë ukrainas lejuan Kievin të përdorte armët e tij për të sulmuar objektiva të kufizuar brenda territorit rus.

Pra, ndërsa shqiptarët e ballkanasit gjithashtu vijojnë të rendin drejt Gjermanisë, mund të jenë duke rendur dhe drejt një lufte të mundshe, gjë që mund t’i bëjë t’u duket Gjermani vendlindja e tyre. /tesheshi.com/