Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënoi sot sulmin ndaj gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj, dhe i kërkoi autoriteteve shtetërore që “përtej retorikës politike të veprojnë menjëherë për të vënë para përgjegjësisë autorët”.

Në një prononcim për mediet në oborrin e Kuvendit para nisjes së seancës plenare, Basha tha se, “kjo nuk është thjesht çështje e një gjyqtari individual, ky është një sulm kundër drejtësisë. Çdo justifikim apo relativizim tregon gjendjen e prishur mendore të atyre që e kanë humbur fillin që kur kanë humbur kontrollin mbi drejtësinë”.

Basha nënvizoi se, çdo gjyqtar, çdo prokuror, çdo punonjës i gjyqësorit duhet të mbahet përgjegjës në standartet më të larta të mundshme sipas ligjit dhe Kushtetutës nga institucionet përkatëse.

Por, shtoi ai, “aktet e tilla duhet të dënohen pa ekuivok nga të gjithë faktorët politik dhe me përgjegjësi shoqërore”.

Dhe jo vetëm kaq, shtoi kreu i PD, “por duhet të vendosen para drejtësisë si çështje prioritare të gjithë ata që mendojnë se mund të kërcënojnë apo godasin punonjësit e sistemit gjyqësor”.

Ai shprehu gjithashtu, “jo vetëm keqardhjen, por edhe indinjatën e thellë që këto sulme vijnë edhe në një atmosferë politike të karikuar me gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqësorit, ndaj institucioneve të drejtësisë”.

Basha i bëri thirrje “të gjithë atyre që edhe sot e kësaj dite e vazhdojnë këtë gjuhë urrejtje të ndalin menjëherë sulmet kundër drejtësisë dhe çdo çështje që ka lidhje me ligjin, ta trajtojnë brenda forumeve të organeve të drejtësisë”.

Ai theksoi se, “kjo nxjerr dhe njëherë në pah nevojën e ngutshme për një mbështetje totale ndaj organeve të drejtësisë dhe në veçanti ndaj atyre që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Basha bëri një thirrje “për të gjithë pa dallim politik, pavarësisht prej rekordeve që kanë në raport me SPAK-un dhe mbështetjen ndaj SPAK-ut, të mbështesin amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, të depozituara tashmë në parlamentin e Shqipërisë, të cilat bëjnë të mundur që SPAK-u, BKH-ja dhe të gjithë institucionet e drejtësisë, të cilat janë të ngarkuara me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të kenë resurse të mjaftueshme dhe të kenë të gjithë kuadrin ligjor për të plotësuar detyrën e rëndësishme që u është ngarkuar nga Republika”.

Në veçanti, vijoi Basha, “kjo merr një rëndësi të veçantë, në kohën kur bota mbarë po tregon me gisht korrupsionin e qeveritarëve aktual si plagën më të madhe të shoqërisë dhe të ekonomisë shqiptare dhe pengesën kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”./ata