Këshilltarët socialistë kanë propozuar emërtimin e një rruge në kryeqytet me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmeni i lindur në Shkup, aktivist për çështjen etnike shqiptare dhe i përndjekur nga regjimi jugosllav, që pati një fat tragjik më 21 tetor 1995. Remzi Hoxha u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut, kohë kur president ishte Sali Berisha. Edhe pse ka kaluar më shumë se çerekshekulli, rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta.
Familja e tij dhe mediet e asaj kohe akuzojnë drejtpërdrejt Sali Berishën për zhdukjen e tij, pasi janë publikuar dëshmi se Remzi Hoxha mori informacione se Sali Berisha do të takohej me presidentin serb Sllobodan Millosheviç, gjë që do të shihej si një tradhti ndaj çështjes shqiptare.
Ndërkohë këshilltarët socialistë propozojnë emërtimin e një tjetër rruge në kryeqytet me emrin e ish-deputetit demokrat Tomor Malasi, njëherësh dhe ish-kryetar i bashkisë së Tiranës. Përtej bindjeve politike, janë vetë socialistët ata që i propozojnë edhe këshilltarëve të opozitës që të votojnë me unanimitet për vendosjen e emrit të Tomos Malasit një rruge në kryeqytet.
Tomor Malasi ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka ushtruar funksionin e nënkryetarit të Kuvendit gjatë viteve 1992-1996. Ai u nda nga jeta në vitin 2023, në moshën 87-vjeçare.
Ndërsa me propozim të kryebashkiakut Erion Veliaj, këshilli bashkiak i Tiranës do të miratojë sot dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Ky titull do t’i akordohet në shenjë falënderimi për gjithë kontributin e tij në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Ali Ahmeti është një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor. Ali Ahmeti njihet si njeriu i punëve të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ai është pagëzuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë.
Propozimi për shpalljen e tij qytetar nderi është bërë mbështetur në rolin e tij si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ku ai luajti një rol kyç në konfliktin e armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001./ata