Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Parkun Kombëtar të Thethit, ku pa nga afër Zip Line, një mundësi e re për të eksploruar nga ajri atraksionet e këtij parku.
Gjatë vizitës Rama shoqërohej nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Duke bashkëbiseduar me banorët e Thethit lidhur me tapitë e tokave, kryeministri Rama tha se “procedura është pak e vështirë, duhet marrë firma e të gjithë familjeve në gjithë këtë zonë. Këtu në këto zona nuk është pranuar 7501 se nuk ka pasur problem dhe e kanë ndarë përpara, prandaj kemi bëri 20/20. Ajo që po shohim nga këto procese është mbledhja e të gjitha firmave, pasi njëri është në Amerikë, tjetri në Angli”.
“Ndërkohë paralelisht me këtë ajo që duam të bëjmë ne është që kush do të investojë
ta marrim me 1 euro qiranë mbi bazën e konfirmimit nga bashkia, ndërkohë bën investimin por nuk pret sa të mbarojë gjithë procesi. Kjo e lehtëson shumë procein. E dyta po mendojmë të bëjmë edhe ne një gjë tjetër, të mbështesim pa taksa fare për një periudhë kohe që mos të ketë asnjë lloj takse, vetëm sigurimet e punonjësve dhe e treta do të vendosim edhe një fond mbështetje financiare. Këto të treja do të ndihmojnë”, nënvizoi Rama.
Kreyeministri Rama u shpreh se “të investosh kursimet e atjeshme këtu fundi i muajit dhe i vitit del shumë më mire se të rrish atje e të punosh për të tjerët”.
“Ajo që sot nuk diskutohet më është se rruga është hapur gjithnjë e me shumë njerëz vijnë s’ka më nevojë të shkoni ju në Itali, Angli e Gjermani se vijnë anglezët, italianët e gjermanët ata këtu dhe ju paguajnë për shërbimet që ju bëni dhe ju jeni në shtëpinë tuaj. Edhe kanalet e ujërave të zeza të politikës këtu nuk prekin, keni malet që ju mbrojnë”, theksoi Rama.
Banorët ngritën shqetësimin për disa gjoba nga ish-bashkia për ndërtimet pa leje që kanë kryer në këtë zonë.
Rama tha se “gjobat në këtë zonë, jo vetëm këtu po në zonat malore do t’i fshijmë të gjitha, por do t’i fshijmë vetëm për një arsye ju keni ndërtuar pa leje këtu, jo se keni zaptuar tokën e dikujt tjetër apo se nuk keni dashur të merrni leje, por nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që ju takon. Edhe ato janë masë e kësaj pakete deri në qershor do e kemi gati këtë paketë”.
“Me ligjin që kemi bërë duhet të bëhet procedura e firmave, të gjithë duhet të bien dakord. Pastaj merret certifikata”, tha Rama.
Turistët tashmë kanë mundësinë për të kaluar mbi kodrat, lumin e Thethit dhe luginën e Alpeve të Shqipërisë, duke shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën përmes një Zip Line të teknologjisë së fundit.
Me ndërtimin e Zip Line, Thethi shton një atraksion tjetër për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe krijon një shans të ri për të promovuar bukuritë natyrore të kësaj zone./ata