“Sot armiqtë tanë e të Kosovës fërkojnë duart”, u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha, në një reagim, pasi Kuvendi rrëzoi amendamentin e propozuar prej tij për t’i ofruar ndihmë financiare Kosovës për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën e së paku 5 miliardë lekësh në vit, duke filluar nga viti 2024.

Sipas Bashës, akti i sotëm ishte dëshpërues dhe pasojat janë fatet, të drejtat, pronat, jetët e shtetasve të Shqipërisë dhe të Kosovës.

“A duhet të parashikojmë në buxhetin tonë të mbrojtjes një kontribut për mbrojtjen e Kosovës? Amendamenti për t’i ardhur në ndihmë Kosovës është ende në rendin e ditës, por sot u hodh poshtë një amendament që në strategjinë kombëtare të ketë një parashikim të përhershëm të kontributit për Kosovën. Akti i sotëm është dëshpërues. Është dëshpëruar bataku ku noton kjo qeveri. Sot armiqtë tanë e të Kosovës fërkojnë duart. Votimi sot do të shtronte rrugën për amendimin e buxhetit për të alokuar 50 milion euro ndihmë ushtarake për Kosovën.

Pasojat janë fatet, të drejtat, pronat, jetët e shtetasve të Shqipërisë dhe të Kosovës. E para që ndjej është ndarja e neverisë së thellë për papërgjegjshmërinë e hedhjes poshtë pa asnjë diskutim të këtij amendamenti”.

 

Kryedemokrati e quan sabotim nga brenda për sigurinë.