Në kuadër të 1 Majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve, eksperti Erjon Muça i ftuar në puntatën e radhës së “Çështja e ditës” nga Klevin Muka, u shpreh se shqiptarët kanë normën më të lartë në Evropë, pavarësisht rendimentit.
“Shqiptarët punojnë 43.7 orë dhe mbajnë vendin e parë në Evropë për numrin e lartë të orëve të punës në një javë. Mesatarja e BE është 37.3. Mesatarisht ne punojmë një ditë pune më shumë se mesatarja e BE. Ky është një tregues se akoma orët e gjata të punës shihet si e vetmja formë që një punonjës mund të arrijë rezultate dhe produktivitetin e nevojshëm.
Duhet bërë një vlerësim se cilat janë ato pozicione pune që mund të bëhen në orare pune më të reduktuara. Një punonjës që punon në marketing nëse punon 8 orë, konsumohet totalisht dhe nuk ka kohë për të qenë produktiv dhe inteligjent për punën e vet për të arritur në një rezultat më të lartë. Produktiviteti nuk varet nga orët e gjata. Ato e lodhin punonjësit ose i krijojnë atij pritshmëri artificiale që një punë që mund ta bëjë për një orë e bën për tetë orë dhe për pasojë humb eficencën. Maksimumi që një punonjës është eficent është 3.5 orë dhe pjesën tjetër vegjeton dhe merret me aktivitete alternative./BalkanWeb