Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann vlerësoi sot se, Shqipëria ka ide të mira për zhvillimin e inovacionit dhe se puna shkencore dhe kërkimore për të zbuluar talentet është mjaft e rëndësishme.

 

Në ceremoninë për lançimin e fazës së dytë të projektit “Bashkimi Evropian për inovacionin”, projekt i cili ka në qendër zhvillimin ekonomik bazuar të inovacioni, rritja e konkurrueshmërisë, kërkimi shkencor, startup-et, ishin të pranishëm ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, si dhe ambasadorja e Suedisë, Elsa Håstad.

 

Ambasadorja Hohmann vuri në dukje se, përveç mjedisit nxitës, idetë inovative për t’u zhvilluar kanë nevojë edhe për kapital mbështetës.

 

“Nevojitet të kemi një mjedis që të jetë nxitës. Ky është kuadri, fillon me rrjetëzimin, për të shkëmbyer për të marrë mbështetjen që duhet për tu zhvilluar në mënyrë që nga një ide të kthehet në një biznes, por duhet edhe kapitali mbështetës”, tha Hohmann.

 

Ambasadorja shprehu besimin se, në fazën e dytë të këtij projekti do të mund të përfitojnë mjaft startup-e.

 

“Jam krenare që kemi rezultate mbreslënëse dhe jam besimplotë që 4 vitet vijues do të jenë po kaq të suksesshëm sa faza e parë. Sepse fillimi ishte premtues. Bashkëpunimi nëpër shkolla, universitete, për të zbuluar se ku janë pikat e tyre të forta. Kjo është saktësisht çfarë nevojitet, punë kërkimore dhe shkencore, por edhe mbështetja në fazën e zbatimit. Jemi këtu për t’u bashkëshoqëruar. Mendoj se Shqipëria ka shumë ide të mira. Uroj që kjo fazë të ketë sukses dhe pas një viti të kemi 100-150 startup-e që kanë përfituar. Kemi terren konkurrues dhe nxis çdokënd të zhvillojë idetë“, u shpreh ambasadorja.