Përgjatë muajve maj dhe qershor, Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, do të zhvillojë takime me komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Kryeministri Rama shprehu sot kënaqësinë e posaçme të ritakimit së shpejti me shqiptarët që jetojnë, studiojnë, punojnë në Greqi, Itali, Angli e Gjermani.

Rama ndau në rrjetet sociale një videokartolinë të këngës më të bukur për Shqipërinë, dhuratë për brezat, të legjendares Vaçe Zela, “Rrjedh në këngë e ligjërime”.

Kryeministri Rama ndau dëshmi të shqiptarëve të kthyer nga emigrimi, të cilët kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.

“Asnjë ëndërr sado e madhe nuk është me paarritshme kur e shohim. Si sot, shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë më parë”, tha Rama.

Ndërkohë emigrantët e rikthyer në Shqipëri shprehen se kanë dëshirë të bëjnë diçka në vendin e tyre.

“Përveç në Shqipëri nuk punoj për dikë tjetër”, tha njëri prej tyre.

“Vitet e fundit në Shqipëri shikoj një të ardhme që vazhdon gjithmonë në rritje”, tha një tjetër.

“Kthimi që kam bërë pas ishte gjëja më e mirë që kam bërë”, tha një tjetër emigrant.

Në kuadër të turit të takimeve që do të nisë së shpejti me synim “rienergjizimin e diasporës për Shqipërinë 2030”, Kryeministri Rama, njëherësh kryetar i PS-së pritet të zhvillojë takime me komunitetet shqiptare në Athinë, Milano, Londër dhe Mynih./ata