Presidenti Bajram Begaj vijoi sot turin në Kalabri me vizita në komunat e Kozencës, San Martino di Finita, San Benedetto Ullano dhe Cerzeto, të pavizituara më parë nga presidentët shqiptarë.

Në sheshin e San Martino di Finita, në hyrje të të cilit ndodhet shqiponja dykrerëshe, Begaj u prit nga drejtuesit e komunës dhe banorët arbëreshë e shqiptarë, të cilët kanë shkuar aty pas viteve ’90.

Veç historisë së ruajtur në arkitekturë, San Martino di Finita ka të arkivuar në bibliotekën e komunës edhe të gjithë të shkuarën e lashtë.

Presidenti Begaj vizitoi bibliotekën dhe kishën e ndërtuar nga arbëreshët në fillim të shekullit XVI dhe përcolli mesazhin e vijimësisë së traditës për të promovuar këtë thesar historik.

“Kjo është një kërkesë që i bëhet Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë për të vizituar të gjitha komunat arbëreshe, kërkesë e lidhur me mundësinë për t’u takuar së bashku, për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mundësuar realizimin e të gjitha nevojave dhe problemeve të zgjidhshme që ju mund të keni”, theksoi Begaj.

Begaj shprehu besimin se veç tij, që është i pari president shqiptar që viziton këto komuna, do të vijnë më pas edhe të tjerë personalitete, për të mundësuar një shkëmbim idesh e vizionesh për të ardhmen e përbashkët.

“Besoj se pas vizitës sime të parë arritëm diçka. Rai Calabria tashmë ka një program në gjuhën arbëreshe”, tha Begaj, i cili premtoi projekte të tjera, të cilat duhet t’u shërbejnë të rinjve, pasi do të jenë ata që do të trashëgojnë dhe do të promovojnë vlerat e Arbërisë dhe kombit.

Më pas Begaj vizitoi qytetin e lashtë, San Benedetto Ullano, ku u prit nga banorë të veshur më kostume tradicionale, të cilët e shoqëruan atë përgjatë vizitave në Muzeun e Palazzo Bisciglia, ku ruhet çdo dokument i arbëreshëve të parë që ndërtuan këto rajone, si dhe në kishën e ndërtuar nga familja Rodota me origjinë nga Shkodra.

“Jam këtu t’ju falënderoj për të gjithë ushqimin që ju jepni i përditë atdhedashurisë, ushqim që fillon me mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës arbëreshe dhe vazhdon të tregohet çdo ditë me historitë tuaja dhe me portat që ju sapo keni zhvilluar si projekte për të vazhduar për të trajtuar historinë e Arbërisë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj vlerësoi projektin “Le Porte Narranti” në San Benedetto Ullano, me dyer të vjetra të pikturuara, që ruajnë trashëgiminë identitare, historinë dhe gjuhën arbëreshe./ata