Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur sot se protokolli për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore, ka si qëllim përcaktimin e ligjit të zbatueshëm për detyrimet ushqimore, që rrjedhin nga një marrëdhënie familjare, prindërore, martese ose lidhje tjetër jogjinie, duke përfshirë detyrimin për ushqim në lidhje me një fëmijë, pavarësisht nga statusi martesor i prindërve.

Ky protokoll zëvendëson Konventën për ligjin e zbatueshëm në detyrimet ushqimore, të datës 2 tetor 1973, dhe Konventën për ligjin e zbatueshëm për detyrimin për ushqim për fëmijët, të datës 24 tetor 1956.

“Protokolli parashikon rregulla të veçanta në dhënien e detyrimit për ushqim për prindërit ndaj fëmijëve, fëmijët ndaj prindërve, si dhe personat e tjerë që nuk janë prindërit ndaj personave që nuk kanë mbushur moshën 21 vjeç, duke përjashtuar lidhjen që është krijuar ndërmjet bashkëshortëve apo ish-bashkëshortëve. Po ashtu, parashikohen rregulla të veçanta për rastet e detyrimit për ushqim ndërmjet bashkëshortëve, ish-bashkëshortëve apo personave që kanë qenë të lidhur në një martesë që është anuluar”, tha Manja gjatë diskutimit të p/ligjit në Kuvend.

Parimet e përcaktuara në protokoll, tha Manja, rezultojnë përgjithësisht të parashikuara në legjislacionin e brendshëm.

Detyrimet ushqimore, tha ai, rregullohen nga ligji i shtetit të vendqëndrimit të zakonshëm të përfituesit të detyrimit ushqimor, përveç rasteve kur ky protokoll parashikon ndryshe.

Ky protokoll ofron liri më të gjerë për palët në drejtim të zgjedhjes së ligjit të zbatueshëm në marrëdhënien e tyre lidhur me detyrimin për ushqim, duke i mundësuar të zgjedhin atë ligj që vetë palët çmojnë se i shërben më mirë të drejtave të tyre./ata