Nga data 1 janar 2025, pulla fiskale si letër me vlerë dhe monopol shtetëror do të prodhohet dhe shpërndahet nga shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”.

Ky vendim vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqëritë “Sicpa Security Solutions”, SA e “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë” autorizohet shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë” pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, sipas kuptimit në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë, kundrejt pagesës nga data 1 janar 2025 e në vijim.

Ministria e Financave i kalon pa pagesë shoqёrisё “Shtypshkronja e Letrave me Vlerё”, të gjitha të dhënat dhe aktivet, të marra në dorëzim nga koncesionari, sipas pёrcaktimeve tё kontratёs koncesionare “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të pullave fiskale”, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “SICPA Security Solutions SA” e “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k.”.

Ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ata