Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë një intervistë për emisionin “Report” në Rai 3, se në Shqipëria janë duke blerë pasuri të palujtshme, italianë, holandezë dhe nga shumë vende të tjera të Bashkimit Europian.

Rama tha se akuzat e ngritura nga emisioni lidhur me narkoshtetin nuk qëndrojnë.

Rai3: Shumë mirë. Vijmë te çështja e narkoshtetit.

KM: Po ç’narkoshtet?! Nuk ju duket se po më jepni vetë një provë të neverisë së atij programi? Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE… Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt.
Po, e di, personazhet që zgjodhët të ftonit pa të drejtë replike në atë program e mendojnë kështu, por janë të gjithë personazhe që kanë probleme me drejtësinë.

Rai3: Megjithatë, qëkurse keni ardhur në pushtet, në vitin 2013, ka pasur një rritje eksponenciale të peshës së mafies, qarkullimeve të mafies shqiptare.

KM: Kush e thotë këtë?

Rai3: Edhe hetimet italiane flasin që mafia shqiptare është bërë shumë e fortë në nivel ndërkombëtar.

KM: Para së gjithash, ndodhte njëherë e një kohë kur media italiane thoshte “ishte një shqiptar” për çdo gjë të keqe dhe ai program më bëri të ndjeja pak shijen e atyre kohëve.

Rai3: Ai ishte racizëm, italianët ishin shumë racistë atëherë, por këtu flasim për fakte, për hetime gjyqësore.

KM: Unë besoj që, kur flitet për të tilla gjëra, duhen parë gjithnjë faktet. Të flasësh për rritje eksponenciale të mafies shqiptare do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh për një mafie ndërkombëtare që nuk njeh kufij, që nuk ka etni. E duke qenë se vijnë nga vende të ndryshme dhe që, për shembull, Eldoradon e vet nuk e ka në Shqipëri, e ka në Holandë, e ka në Portin e Roterdamit. Dje, Wall Street Journal botonte një artikull për Holandën dhe Belgjikën që e bënte Italinë të dukej një vend steril dhe Shqipërinë një vend të tredhur nga këndvështrimi i kapaciteteve mafioze.
Atëherë, për çfarë po flasim dhe pse nuk thuhet asnjëherë që Holanda është një narkoshtet? Që nuk është… Po është kaq e lehtë që ta quash Shqipërinë narkoshtet sikur s’po thua asgjë, ndërkohë që Shqipëria sot është një vend ndryshe dhe ju mund ta dëshmoni këtë.
Rai3: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…

KM: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.

Rai3: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.

KM: Kush e thotë?

Rai3: Të dhënat zyrtare.

KM: Jo, nuk është e vërtetë.

Rai3: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.

KM: Jo. Po ju them diçka.

Rai3: Është nga operatori juaj elektrik.

KM: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.

Rai3: Janë të dhëna objektive,

KM: Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.

Rai3: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.

KM: Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.
Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.

Rai3: Pra, janë dërgesat e emigrantëve.

KM: Ne kemi kryer një studim, pikërisht për të kuptuar që nuk gjendeshim përpara një flluske dhe doli që kërkesa për të blerë apartamente është shumë më e lartë sesa oferta edhe sot. Pastaj, janë italianët që blejnë në Shqipëri dhe Banka qendrore e Shqipërisë ka botuar një të dhënë, sipas së cilës, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, kanë shënuar një rritje të menjëhershme falë investimeve të të huajve nga Bashkimi Europian, të cilët blejnë shtëpi ose zyra në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për qindra miliona, jo për një.

Rai3: Domethënë, edhe Kastrati i ndërton kullat me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali.

KM: Nuk e di saktësisht se kush janë, pasi janë të dhëna të përziera, por ju duhet të kuptoni që, për çdo banesë që shitet në Shqipëri bëhet kontrolli i origjinës së parave. Domethënë, ka marrë fund faza kalabreze, të themi, e Shqipërisë, kur bliheshin shtëpi në Tiranë me para në dorë dhe pastaj bëheshin bilance, bëheshin fatura që ishin gjysmë të vërteta./ata