Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiçin, për sulmin e armatosur në Banjskë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në këtë fshat të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e, siç e cilësuan, sulmit terrorist, por ajo e mohoi përfshirjen.

Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.

Ajo e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”./Tema