Deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi prezantuan sot 6 propozime të PD-së për paketën e masave për përballimin e ditëve të nxehta.

Në një deklaratë për mediet,  Vokshi propozoi shkurtimin e përgjithshëm të orarit të punës si në sektorin publik edhe atë privat, maksimumi deri në orën 13.00. Këtu, sipas saj, duhet  të përjashtohen sektorë si shëndetësia, policia, ushtria, zjarrfikësit dhe çdo strukture me karakter emergjence.

Po ashtu, Vokshi propozoi që të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna të punojnë me orar të shkurtuar nga shtëpia.

“Për sektorët që punojnë në ambient të hapur, siç është ndërtimi të konsiderohet orar i shkurtuar ose edhe pezullimi i plotë i punës gjatë ditëve të nxehta të kësaj jave. Mbyllja e plotë e çerdheve dhe kopshteve publike dhe private. Njëri prej prindërve të kujdeset për fëmijët kundrejt kompensimit të pagës. Për pensionistët që jetojnë vetëm apo për personat PAK, Posta Shqiptare të marrë masat me dërgimin e pensionit apo të pagesës së PAK në shtëpi, pa kosto shtesë financiare”, u shpreh ajo.

Një tjetër propozim i PD-së ka të bëjë me ngritjen urgjente të grupeve ndërinstitucionale në nivel bashkie, të përgjigjes së menjëhershme për personat PAK, pensionistet dhe kategori të tjera në nevojë për çdo nevojë që mund të kenë për të blerë ilaçe, pazar ushqimor, asistencë në banesë duke vendosur edhe një numër kontakti falas, etj.

Ndërsa Çupi sqaroi se propozimet e PD-së parashikojnë që kostot financiare të shkurtimit të orarit të punës në sektorin privat, apo të prindit që do të kujdeset për fëmijët në shtëpi, apo kostot e tjera të përballohen nga fondi rezervë i Kryeministrisë.

“Kursimi i energjisë parashikohet të jetë miliona euro. Kursim financiar dhe kohor do ketë edhe sektori shëndetësor”, tha ajo.

PD kërkoi marrjen urgjente të masave të mësipërme, në mënyrë që të mbrojë shëndetin e qytetarëve e nga ana tjetër të ekonomizojë edhe përdorimin e energjisë elektrike./ata