Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar, se kushdo që kapet nga drejtësia në shkelje të ligjit, duke tradhëtuar besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë, të mos presë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste, por vetëm nga avokati i tij.

Sipas Ramës, kushdo që dënohet nga drejtësia është një parazit më pak në trupin e Partisë Socialiste. “Lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë, nuk është asgjë më shumë se sa një lajm i mirë”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Rama theksoi se ka përfunduar koha e  përgjegjësisë kolektive, sot përgjegjësia është individuale.

“I dëgjoj dhe kur thonë hajde jep përgjigje ti Edi Rama, për atë që është ulur tek rreshti i dytë, apo rreshti i pestë, apo 100 km larg meje, jep përgjigje për këtë miun, se edhe ai i yti është, i PS është. Jo! S’është as i imi, as i ynë, por është vetëm ekskluzivisht i drejtësisë. Cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi në daç si ministër, në daç si kryetar bashkie apo drejtor bashkie, apo përgjegjës drejtorie dhe e përdor këtë privilegj për të vjedhur këtë shtet, për t’i futur në xhep duart shqiptarëve, është vetëm i drejtësisë”, theksoi Rama.

“I dëgjojë dhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës. Nuk pushojnë, thonë ia kapën këtë ministër, ia kapën atë ministër, atë kryetar bashkie, atë drejtor drejtorie, një tam tam i përditshëm, i dëshpëruar për të helmuar popullin, por në sistemin ku jetojmë individi është sovran. Ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit dhe partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej edhe me të tjera sipas oreksit të partisë shtet, që ushqehej me dogmën morale të përgjegjësisë kolektive”, vijoi Rama.

“Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asociim, ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asociim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal”, tha Rama.

Kreu i Partisë Socialiste tha se kush punon për xhepin e tij s’do ketë në krahë Partinë Socialiste.

“Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për 1001 arsye. Por, puna që na lidh me një qëllim, në këtë rast shumë të madh, dhe për plot arsye të mira edhe na zgjidh menjëherë për një vepër të ulët siç është tradhtia”, tha Rama.

“Unë kam patur detyrën të punojë me 40 e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar që ditën e parë të nisjes së punës se: Kush lufton për qëllimet e përbashkëta, ka mbështetjen time të plotë në çdo hap. Ka diskrecion të plotë në rekrutimet e veta, në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve. Më kanë në krahë kurdo herë që sulmohet në përpjekjet për të luftuar nga e njëjta llogore, por kush gabon, por kush mendon se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë duke luftuar me mua dhe PS për të bërë detyrat e shtetit dhe nga krahu tjetër punon dhe për xhepin, s’do më ketë në krahë as mua dhe as PS, por do ketë në krahë vetëm avokatin. Kjo vizë e kuqe nuk ndryshon deri sa të jem unë”, nënvizoi kryesocialisti Rama.

“Pastaj thonë se PS do duhet t’i mbajë njerëzit e saj, unë s’duhet t’i lëshoj njerëzit e mi, por unë s’lëshoj vetëm djalin e vogël, por nuk mbaj dot asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur vjen ora të thirret. Jo por nuk kam bërë asgjë, po më bien në qafë…Nëse s’ke bërë gjë, s’ke nevojë të të mbaj as unë as PS, por të mban e vërteta, lufto për të vërtetën tënde se kjo parti nuk bën dot asnjë koment mbi punën e SPAK, jo më avokatin e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti, ministër..etj. Madje sa më lart të jetë ngjitur kërkesa e SPAK, aq më shumë e presim të vërtetën nga SPAK, dhe jo nga i lartësuari prej nesh që kërkon të mos e lëshojmë”, tha Rama.

Sipas tij, ky është një realiteti i ri i një drejtësie të pavarur.

“Keq më vjen për ata që s’duan ta pranojë realitetin e ri. Kanë ardhur kohë të këqija shumë për ata që janë mësuar që drejtësia të jetë e lidhur me qerren e pushtetit dhe janë mësuar edhe të shërbejnë dhe të rrëmbejnë. Unë s’kam, ne s’kemi hiç se çfarë të bëjmë, për askënd që sdo ta kuptojë që kjo luftë për drejtësinë e re, është e vërteta jonë më kuptimplotë për Shqipërinë, shqiptarët dhe historinë”, nënvizoi Rama./ata