Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i kërkoi sot organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e kryetarit të PD-së për Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.
Sipas Spiropalit, “përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar”.
“Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE-së në Bushat. Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur”, tha ajo.
Spiropali theksoi se, janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën, në një akt barbar të pashembullt, i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore.
“Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll. E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve”, tha ajo