Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit erdhi pasi Brukseli u bind se Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë në një fazë të re të rrugëkalimit të saj drejt një shoqërie të hapur me demokraci funksionale.
Në takimin e mbajtur sot në Kryesinë e Kuvendit, ku iu adresua grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar për qeverisjen, korrupsionin dhe nga ku foli për nismën e re kombëtare për “Shqipërinë 2030”, Rama tha se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në BE-së. Kjo sipas tij, sepse nuk ka qenë asnjëherë më parë më shumë shtet demokratik dhe europian se sa sot.
“Ne nisëm përpjekjen tonë për reformën në drejtësi. Prej 10 vitesh kjo nuk është më një luftë arnash, siç ishte para 10 vitesh, arno këtu atje. Por është një luftë e gjithanshme për goditjen e sistemit paralel të korrupsionit. Pas asnjë diskutim, kjo luftë deri këtu, nuk është zhvilluar as pa gabime, prej të cilave përpiqemi të kuptojmë më shumë ,as pa dështime, prej të cilave riorganizohemi me një qasje të drejtë, e as pa zhgënjime, prej të cilave mësojmë se çfarë duhet ndryshuar. Deri këtu kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak. Nuk e them unë. Këtë e thotë vendimi shumë domethënës i BE-së për çeljen e negociatave”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se nuk do të çelte kurrë BE negociatat për anëtarësim, nëse Shqipëria nuk do të ishte ndryshuar si dita me natën, krahasimisht me atë që ishte, kur nuk i jepnin as statusin e kandidatit për BE, jo më t’i hapnin dritën jeshile të negociatave.
“Këtu flitet nga mëngjesi në darkë për sa keq është Shqipëria. Por çfarë thotë dokumenti i diagnozës, i nxjerrë nga skanimi që BE i bëri Shqipërisë për nisjen e procesit të negociatave , i njohur në gjuhën e Brukselit si procesi screening. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Sepse nuk ka dokumente të tjera ndërkombëtare, asnjë, me objektivitet të pakonkurrueshëm si dokumentet e Komisionit Europian. Për faktin e thjeshtë se janë me dhjetëra njerëz në Tiranë dhe Bruksel, të cilët punojnë çdo ditë të javës me saktësi kirurgjikale në mbledhjen, leximin dhe kuptimin e fakteve dhe përshkrimin e detajuar të situatës së një shteti në procesin e integrimit”, deklaroi kryeministri.
Ai dokument themelor për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, tha Rama, siç rreshton problemet e sfidat që kemi për anëtarësim, rreshton edhe të gjitha arritjet e Shqipërisë, të padiskutueshme në luftën kundër korrupsionit, të cilat, vijoi Rama, duan s’duan ata që s’duan, provojnë një të vërtetë kokëfortë.
“Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë në një fazë të re të rrugëkalimit të saj drejt një shoqërie të hapur me demokraci funksionale. Nuk është opinion im, por është fakt, i mbështetur në të dhëna objektive, që Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në BE, sepse nuk ka qenë asnjëherë më parë më shumë shtet demokratik dhe europian se sa sot”, shtoi kryeministri.
Por pa dyshimin më të vogël, vijoi Rama, po kaq i vërtet është edhe fakti se korrupsioni nuk është zbrapsur, aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë.
“Pikërisht për këtë arsye, në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë, duke shtrënguar sot më shumë se kurrë radhët e të tria pushteteve të pavarura kushtuese në një front të vetëm. Kjo do të thotë një përpjekje e re, e madhe, e përbashkët e të gjitha institucioneve e forcave aktive të shoqërisë, për një fuqizim të mëtejshëm të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe për një harmonizim të domosdoshëm të punës së tyre, në funksion të shtetit shqiptar përballë derës së BE-së”, tha ai.
Çdo aktor politik, institucional e shoqëror, theksoi Rama, duhet ta kuptojë këtë nevojë si një domosdoshmëri jetike për të fituar luftën me korrupsionin dhe kontribuar për një rritje të menjëhershme të presionit reformues përgjatë gjithë harkut institucional./ata